Sarah Mullally u fronëzua zyrtarisht dje si Kryepeshkopja e Canterbury-t, duke shënuar fillimin e shërbimit të saj publik si gruaja e parë në krye të Kishës së Anglisë në histori.
Ish-infermierja mori vendin e saj në Karrigen e Shën Augustinit nga shekulli i XIII në katedralen e Canterbury-t përpara rreth 2.000 të ftuarve. Mes të pranishmëve ishin edhe trashëgimtari i fronit britanik, princi William me bashkëshorten Catherine, kryeministri Keir Starmer si dhe shumë liderë fetarë.
Mullally do të shërbejë si udhëheqëse shpirtërore e komunitetit global anglikan, i cili numëron rreth 85 milionë besimtarë në mbarë botën. Kujtojmë se Kisha e Anglisë ka shuguruar gratë si priftëresha vetëm në vitin 1994 dhe gruan e parë peshkop në vitin 2015. Edhe pse funksionin e kishte marrë zyrtarisht që në janar, ceremonia e së mërkurës shënoi fillimin simbolik të detyrës së saj.
Mesazhe paqeje dhe reflektim mbi skandalet e së kaluarës
“Ndërsa sot e filloj shërbimin tim si Kryepeshkopja e Canterbury-t, i them sërish Zotit: ‘Ja ku jam’”, u shpreh ajo në predikimin inaugurues.
Duke mbajtur një mitër të artë, Mullally u lut për “mbizotërimin e paqes” në rajonet e shkatërruara nga lufta, përfshirë pjesë të Lindjes së Mesme, Ukrainën, Sudanin dhe Mianmarin.
Kjo 63-vjeçare u ndal edhe te vuajtjet e shkaktuara nga dështimet e Kishës në të kaluarën, një prej të cilave çoi në dorëheqjen e paraardhësit të saj Justin Welby në vitin 2024, pas një skandali për fshehjen e abuzimeve ndaj fëmijëve. Ajo theksoi nevojën që Kisha të “mbetet e përkushtuar ndaj së vërtetës, dhembshurisë, drejtësisë dhe veprimit”.
Detaje dhe simbolikë e ceremonisë
Në fillim të ceremonisë, Mullally trokiti në derën perëndimore të katedrales, duke veshur një mantel të lidhur me një kapëse të modeluar sipas rripit që ajo mbante si infermiere në Sistemin Kombëtar Shëndetësor britanik (NHS). Më pas ajo u përshëndet nga fëmijë, ndërsa gjatë ceremonisë u dëgjuan lutje dhe lexime në disa gjuhë, përfshirë edhe urdun.
Interesant është fakti se Mullally mbante edhe një unazë që Papa Pali VI ia kishte dhuruar në vitin 1966 njërit prej paraardhësve të saj, Michael Ramsey. Kjo simbolizon përmirësimin e marrëdhënieve midis anglikanëve dhe katolikëve, shekuj pas ndarjes së mbretit Henri VIII nga Kisha Katolike Romake.
Peshkopi Philip Mounstephen e cilësoi ardhjen e një gruaje në “një detyrë të lashtë më të vjetër se vetë Kurora” si një ngjarje historike. “Kjo sinjalizon një ndryshim të madh në jetën e Kishës”, tha ai.
Sfidat dhe ndarjet e thella
Megjithatë, emërimi i saj është përballur me kritika të forta nga rryma konservatore brenda Kishës, veçanërisht nga Afrika dhe Azia, të cilat kundërshtojnë bekimin e çifteve të të njëjtit seks dhe udhëheqjen e grave.
Edhe pse konservatorët më herët kishin planifikuar të emëronin një figurë paralele për të rivalizuar Canterbury-n, së fundmi ata kanë hequr dorë nga kjo ide dhe kanë vendosur të krijojnë një këshill të ri.
Roli i Kryepeshkopit të Canterbury-t është kryesisht simbolik dhe mbështetet në fuqinë e bindjes, ndryshe nga Papa që ka autoritet të drejtpërdrejtë mbi katolikët në mbarë botën. Për këtë arsye, kryepeshkopët e fundit janë përballur me vështirësi në tejkalimin e ndarjeve të thella mes një Kishe angleze gjithnjë e më progresive dhe provincave më tradicionale.
Megjithatë, Mullally theksoi rëndësinë e unitetit në diversitet:
“Ne jemi një familje me rrënjë të përbashkëta dhe në çdo kishë globale ekziston një larmi e madhe”, u shpreh ajo.










