Neymar, ylli që dëmtohet më shumë? PSG e shqetësuar për stilin e jetës së brazilianit

Për disa është mallkimi i Barcelonës, ndërsa për të tjerë është ai i muajit mars. Megjithatë faktet tregojnë se para vitit 2020, ylli brazilian Neymar është dëmtuar për 5 vite radhazi në muajin mars dhe ka humbur sfida të rëndësishme të klubeve ku ka qenë pjesë.

Nëse marrim në konsideratë dëmtimin e pësuar ndaj Caen, që do ta lërë jashtë fushave për më tepër se një muaj, atëherë bëhen 6 vite radhazi dhe kritikët nuk ngurrojnë ta lidhin këtë edhe me 11 marsin, ditëlindjen e motrës së Neymar, pasi kur bëhet fjalë për festa, dihet që braziliani nuk dëshiron të mungojë asnjëherë.

E përditshmja franceze “L’Equipe” zbulon se drejtuesit e Paris Saint Germain vlerësojnë maksimalisht angazhimin e brazilianit në stërvitje dhe ndeshje, por së fundi kanë filluar të lodhen nga dëmtimet e shpeshta të Neymar.

Një pjesë e mirë e drejtuesve të klubit kryeqytetas kanë filluar t’i lidhin dëmtimet e shpeshta të Neymar, me jetën intensive të natës që ai bën, ndryshe nga kampionë të tjerë të atij niveli si Lionel Messi e Cristiano Ronaldo, që janë shumë më striktë në regjimin sportiv.

Që kur u transferua te PSG-ja në verën e 2017-ës, Neymar ka luajtur vetëm 103 nga 191 ndeshjet e mundshme, ose vetëm 53% të tyre, që janë shumë pak për një futbollist që paguhet me shifra marramendëse, megjithatë vetë braziliani ka zgjedhur Instagramin për të folur për dëmtimin e tij.

Kategoritë
Sport