Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton se në kuadër të zbatimit të planit të punës për vitin 2025 të kësaj Prokurorie, ndërlidhur me sigurinë në punë, të hënën ka realizuar një sërë aktivitetesh në disa lokacione, ku janë evidentuar se në disa vendpunime në Komunën e Fushë-Kosovës, po kryheshin punime pa pajisje të nevojshme të sigurisë në vendin e punës, duke vënë në rrezik jetën e qytetarëve. Andaj, janë ndaluar punimet në këto lokacione si dhe është inspektuar një aksident në vendin e punës në Mazgit të Obiliqit.
Sipas Prokurorisë, në vendin e ngjarjes ka dalë koordinatori për rastet e veprave penale qe ndërlidhen me sigurinë në vendin e punës, njëherit prokuror në Prokurorinë Themelore në Prishtinë së bashku me inspektorët e ndërtimit, të cilët kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për parandalimin e pasojave të mundshme gjatë punës dhe rritjes së nivelit të sigurisë në vendin e punës, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Prokuroria njofton se për shkak të mosndërmarrjes së masave të përgjithshme të sigurisë dhe shëndetit në punë, mungesës së skelave, mosmbylljes së ashensorëve dhe mosmbylljes së shkallëve, janë ndaluar punimet në disa vendpunime.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e përkushtuar që në bashkëpunim me Inspektorët përkatës, të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme brenda kompetencave ligjore, me qëllim të preventivës së veprave penale të kësaj natyre dhe zvogëlimit të rasteve me pasojë vdekje në vendin e punës”, thuhet në njoftim.