“Mos i zëvendësoni punëtoret”, “Mos i ndëshkoni grevistet” – Mirëmbajtëset e Kuvendit kërkojnë reflektim nga Konjufca

Punëtoret teknike të Kuvendit, kanë protestuar të hënën në shenjë pakënaqësie, për vendimin e marrë të premten për mos lejimin e grevisteve në ndërtesë, raporton Ekonomia Online.

“Mos i zëvendësoni punëtoret”, “Mos i ndëshkoni grevistet”, ishin disa nga mbishkrimet që i mbanin në duar ato, teksa kërkuan reflektim nga ana e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca. Ato kërkuan nga Konjufca që të marr përgjegjësi për vendimin dhe të kthehen përsëri në punë.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë se protesta dhe padia do të vazhdojë deri dhënien e përgjegjësisë ngq Kuvendi dhe nga kompania kontraktuese “Shadberger”.

“Ne po vazhdojmë me procedurë ligjore nuk po e thërrasim Kuvendin e askënd, po i themi faleminderit për atë çka kanë bërë, protesta vazhdon, vazhdon procedura ligjore ne kemi me protestuar nga ora 07:00, në bisedim me të gjitha institucionet përkatëse sot kemi marrë mbështetje ligjore që sot veprimet që ka marrë Kuvendi dhe kjo kompani janë të paligjshme. Do vazhdojmë grevën dhe padinë. Ju garantoj që këto punëtorë nuk do ta humbin asnjë cent nga puna e tyre”, ka thënë Azemi.

Protesta e tyre është përkrahur edhe nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, të cilët iu bashkuan protestës së tyre.

Ndryshe sot grevisteve nuk iu lejua të hynë brenda institucionit të Kuvendit, ndërsa janë në pritje të një liste zyrtare që do të përcaktojë se cilat prej tyre do të vazhdojnë punën.

Edhe pse tash e tre muaj punëtorë teknik janë në grevë në vendin e tyre janë sjellë punëtore të reja nga e njëjta kompani kontraktuese.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi