Mediumi serb: Kush janë partnerët perëndimor që po i japin përkrahje Kurtit?

Vendet e KUINT-it kanë dënuar vendimin e autoriteteve të Kosovës që kryetarëve të rinj të veriut të Kosovës t’u mundësohet me dhunë qasje në ndërtesat komunale, Amerika veçmas thotë se Prishtina do t’i bartë pasojat sepse nuk i dëgjoi këshillat e tyre dhe tashmë ka anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në stërvitjen ushtarake “Defender Europe 2023”, mirëpo Albin Kurti vazhdon të thotë se bashkëpunon ngushtë me BE-në dhe SHBA. Cilët janë partnerët perëndimorë për të cilët Kurti thotë se po e mbështesin?

Sipas portalit serb “Kosovoonline”, është e qartë se Kurti ka mbështetjen e faktorëve që mendojnë se tani është mundësia “për t’i dhënë fund të gjitha lidhjeve në mes të veriut të Kosovës dhe institucioneve të Serbisë”, përkatësisht të konfirmohet shtetësia e Kosovës.

Ish-diplomati serb Zoran Millivojeviq thotë se “është absolutisht e sigurt se masat dhe veprimet e Kurtit dhe atyre që “tentojnë të konfirmojnë” shtetësinë e Kosovësnuk i përshtaten administratës në Uashington sepse ai nuk ka ndërmend të përjashtojë serbët nga ky proces”.

“Amerikanët duan me çdo kusht t’i kthejnë serbët në dialog dhe të kërkojnë një zgjidhje në të cilën do të marrin pjesë serbët, por në përputhje me interesin e tyre kyç – të konfirmojnë shtetësinë e Kosovës. Është përfshirë edhe Sekretari i Shtetit Blinken, gjë që është e pazakontë, por kjo tregon qartë se amerikanët duan dy gjëra – të bëjnë të ditur se ata janë arbitri kryesor dhe faktori kryesor i rezultatit dhe procesit që duhet të çojë në zgjidhje, që është një mesazh për Kurtin, për ne, por edhe për partnerët tanë perëndimorë. Nëse Kurti nuk e pranon këtë ai do të vë në dyshim pozicionin dhe strategjinë e tij politike, por mënyra se si ai sillet, të çon në përfundimin se ai ka mbështetje të disa qendrave të pushtetit në Evropë. Gjermanët mbështesin pa rezerva jo vetëm Kurtin, por edhe politikën e tij që nga dita e parë dhe këtë nuk e vënë në dyshim. Ata në parim kontestojnë dhe kritikojnë sulmin ndaj KFOR-it, por nuk vënë në dyshim masat dhe veprimet e Kurtit, që do të thotë se ata qëndrojnë pas kësaj politike”, ka pretenduar Millivojeviq.

Ai ka shtuar se është e padiskutueshme, pra është plotësisht e qartë se aty është i pranishëm edhe ndikimi britanik.

“Është e qartë se Londra është në koalicion me Berlinin kur është fjala për mbështetjen e Kurtit për masat dhe veprimet e tij”, ka saktësuar ai.

Millivojeviq ka pretenduar se “tani shtrohet pyetja nëse amerikanët do të shkojnë deri në fund, jo vetëm në disiplinimin e Kurtit për masat dhe veprimet e tij, por edhe se si do ta konfirmojnë kredibilitetin e tyre duke marrë parasysh se ata vetë e kanë hapur këtë çështje. Ai thotë se është e hapur edhe çështja e autoritetit amerikan në raport me organet e Kosovës, por edhe çështja e autoritetit të tyre në raport me partnerët e tyre – gjermanët dhe britanikët”.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi