Mariçiq: Gjyqet gjithnjë e më pak shqiptojnë masa edukative ndaj fëmijëve që janë në konflikt me ligjin

Me një panel diskutimi, në Shkup filluan aktivitetet e programit në kuadër të projektit “E drejta për fëmijët – BE për drejtësinë për të miturit dhe drejtësinë е matur për fëmijët”

Sot në Shkup u mbajt panel diskutimi me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe përfaqësuesve të Delegacionit të Bashkimit Evropian (BE) dhe UNICEF-it, duke shënuar fillimin e aktiviteteve të programit në kuadër të projektit “E drejta për fëmijët – BE për drejtësinë për të miturit dhe drejtësinë е matur për fëmijët”, raporton Anadolu Agency (AA).

Aktivitetet e projektit parashikojnë reforma legjislative, forcimin e mekanizmave të mbledhjes së të dhënave dhe monitorimit, futjen e shërbimeve dhe zhvillimin e tyre dhe përmirësimin e qasjes në drejtësi. Projekti financohet nga BE-ja dhe bashkëfinancohet nga UNICEF. Mbështetja totale për dy vitet e këtij projekti është 625 mijë euro, nga të cilat 500 mijë janë donacion i BE-së.

Ministri i Drejtësisë i Maqedonisë së Veriut, Bojan Mariçiq, si folës në diskutim, tha se qëllimi i tyre si përfaqësues të institucioneve është t’ua shtrijnë dorën atyre fëmijëve që janë në konflikt me ligjin.

“Nga zbatimi aktual i ligjit (Ligji për Drejtësinë për Fëmijët), ministri i Drejtësisë ka theksuar se mund të konkludojmë se në shumicën e rasteve, subjektet në sistemin e drejtësisë për fëmijët zbatojnë masa, pra sanksione që nuk përfshijnë heqjen e lirisë së fëmijëve që korrespondon me Ligjin mbi Drejtësinë për Fëmijët dhe standardet ndërkombëtare”, tha Mariçiq.

Sipas tij, lajmi i mirë është se “vitet e fundit ka pasur një trend të zvogëlimit të ndjeshëm të masave institucionale edukative të vendosura nga gjykatat, gjë që është për t’u mirëpritur dhe tregon se sistemi funksionon në interesin më të mirë të fëmijëve dhe se nuk zbatohen masa më kufizuese”.

“Të dhënat statistikore tregojnë se në vitin 2018 kishte një rënie të ndjeshme të masave institucionale edukative të vendosura nga gjykatat, domethënë, ato janë shqiptuar ndaj gjithsej 12 fëmijëve, ndryshe nga viti 2017, kur masat institucionale të referimit në institucion edukativ ose korrigjues u shqiptuan ndaj 53 fëmijëve”, tha Mariçiq.

Të pranishëm në panel ishin edhe ministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska, si dhe ambasadori i BE-së David Geer dhe përfaqësuesja e UNICEF-it, Patricia di Giovani.

Kategoritë
LajmeRajoni