Maqedonia e Veriut shënon përvjetorin e parë të anëtarësimit në NATO

Një ceremoni qendrore u mbajt sot në kazermën “Ilinden” në Shkup, ku morën pjesë krerët shtetërorë

Krerët shtetërorë të Maqedonisë së Veriut, me rastin e përvjetorit të parë të anëtarësimit në NATO, thanë se bashkimi me Aleancën ishte betejë të cilën vendi e fitoi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Një ceremoni qendrore u mbajt sot në kazermën “Ilinden” në Shkup për të shënuar përvjetorin e parë të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, në të cilën morën pjesë presidenti Stevo Pendarovski, kryeministri Zoran Zaev, ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska dhe komandanti i Komandës Aleate të Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, Admiral Robert Burke.

“Pikërisht një vit më parë, ne u bëmë anëtarë të plotë të Aleancës Veriatlantike. Rruga ishte e gjatë dhe e vështirë. Ne pritëm 20 vjet, më shumë se shumica e të gjithë kandidatëve në historinë e organizatës. Por, me gjithë vonesat, ne nuk u dorëzuam, sepse ky ishte dhe mbeti qëllimi ynë kryesor strategjik që nga pavarësia deri më sot”, tha presidenti Pendarovski në adresimin e tij.

Ai gjithashtu tha se ushtria e Maqedonisë së Veriut vazhdon të marrë pjesë në misionet paqeruajtëse.

“Aktualisht, anëtarët e ushtrisë janë pjesë e Misionit të Mbështetjes së Vendosur në Afganistan. Në nëntor 2020, ne u bëmë pjesë e misionit të KFOR-it në Kosovë për herë të parë, duke filluar kështu të kontribuojmë drejtpërdrejt në stabilitetin në rajon”, shtoi ai.

Ndërkaq, kryeministri Zoran Zaev tha se dita e sotme do të kujtohet nga të gjitha gjeneratat e ardhshme.

Zaev theksoi se me anëtarësimin në NATO një vit më parë, u arrit një nga qëllimet më të rëndësishme strategjike të vendit, i vendosur në themelet e pavarësisë dhe i miratuar me një vendim unanim të parlamentit në vitin 1993.

“Kur bëhet fjalë për sigurinë, ne nuk jemi më temë në agjendë. Tani edhe ne marrim pjesë në krijimin e agjendës, diskutimin e të gjitha çështjeve dhe marrjen e vendimeve së bashku me aleatët e tjerë të NATO-s”, deklaroi Zaev.

Nga ana tjetër, ministrja e Mbrojtjes, Shekerinska, në fjalën e saj u shpreh: “Anëtarësimi në NATO ishte beteja jonë dhe ne e fituam këtë betejë. Me sakrifica, me rreziqe dhe me shumë punë, por e arritëm. Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në aleancën më të fuqishme ushtarako-politike është arritja më e madhe në historinë tonë si shtet i pavarur”.

Shekerinska shtoi se qeveria do të vazhdojë të investojë dhe ta modernizojë ushtrinë.

Komandanti i Komandës Aleate të Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, Admiral Robert Burke, gjithashtu foli në ceremoni, duke uruar përvjetorin e parë të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut.

Me rastin e përvjetorit, urime shprehu kryetari i parlamentit, Talat Xhaferi.

Gjatë ceremonisë u realizua edhe një stërvitje demonstruese.

Kujtojmë se më 27 mars të vitit të kaluar, Maqedonia e Veriut u bë anëtarja e 30-të e NATO-s pas përfundimit të të gjitha proceseve zyrtare.

Kategoritë
LajmeRajoni