Maqedoni e Veriut, ish-kreu i DSK-së, Mijallkov, dënohet me 12 vite burgim, Jankullovska me 4 vite

Gjykata Themelore Penale Shkup në rastin “Target-Fortesa”, i cila ka të bëjë me një përgjim masiv dhe shkatërrim të pajisjeve nga DSK, sot shqiptoi 55 vjet burgim dhe 10 vjet dënime me kusht, gjegjësisht 65 vjet për 11 persona

Ish-kreu i Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit (DSK) të Maqedonisë së Veriut, Sasho Mijallkov, është dënuar me 12 vjet burg, kurse ish-ministrja e Brendshme Gordana Jankulovska me katër vjet në një vendim të Gjykatës Themelore Penale të Shkupit në rastin “Target-Fortesa”, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjykata Themelore Penale Shkup në rastin “Target-Fortesa”, i cila ka të bëjë me një përgjim masiv dhe shkatërrim të pajisjeve nga DSK, sot shqiptoi 55 vjet burgim dhe 10 vjet dënime me kusht, gjegjësisht 65 vjet për 11 persona.

Ish-drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov, u dënua nga gjykata me 12 vjet burg për veprat penale “bashkimit kriminal”, “abuzim i pozitës dhe autoritetit zyrtar” dhe “marrjes së shpërblimit për ndikim të paligjshëm”.

Gjykata dënoi ish-shefin e Drejtorisë së Pestë të Ministrisë së Brendshme, Goran Grujevski, dhe punonjësin e DBK-së, Nikolla Boshkoski, të cilët janë në arrati në Greqi, me nga 15 vjet burg në mungesë.

Ish-ministrja e Brendshme Gordana Jankuloska u dënua me katër vjet burg për “abuzim të pozitës zyrtare dhe autoritetit”, ish-shefi i kabinetit të Mijallkovit, Toni Jakimovski, u dënua me gjashtë vjet burg për “abuzim të detyrës dhe autoritetit” dhe “falsifikim të dokumentit zyrtar”, kurse shefja Nadica Nikoliç u dënua me tre vjet burg për veprat penale të “bashkimit kriminal” dhe “abuzimit të pozitës zyrtare dhe autoritetit”.

Gjykata shqiptoi dënime me kusht për Vladimir Varelov, Marijan Sumulikovski, Silvana Zllatkova, Vasil Isakovski, Valentina Simonovska dhe Elena Xhilanova.

Gjykata po ashtu shfuqizoi arrestin shtëpiak për Mijallkovin dhe vendosi që ai të mbahet në paraburgim deri në aktvendimin e plotfuqishëm, maksimum 60 ditë, sipas Ligjit të Procedurës Penale.

Prokurorja Lençe Ristovska, pas vendimit për lëndën “Target-Fortesa”, në një deklaratë të dhënë për mediat tha se ata janë përgjithësisht të kënaqur me verdiktin sepse të gjitha pretendimet e prokurorisë janë konfirmuar.

Ndërkaq, Ljupço Svrgovski, avokati i Sasho Mijalkovit, tha se vendimi ndaj klientit të tij ishte drakonian dhe se arsyet e paraburgimit janë të paligjshme.

Rasti “Target-Fortesa”

Precesi gjyqësor për rastin filloi më 22 dhjetor të vitit 2017. Gjatë procedurës, u mbajtën 53 seanca dëgjimore, në të cilat u dëgjuan 123 dëshmitarë, u prezantuan 887 prova materiale dhe pesë raporte ekspertësh. Një numër i madh prej mbi 200 personave të dëmtuar gjithashtu u morën në pyetje.

Sipas aktakuzës, nëpërmjet tri sistemeve për përgjimin e komunikimeve në DSK, në periudhën nga viti 2008 deri më 2015, 4.286 numra telefoni janë përgjuar në mënyrë të paligjshme për të cilat nuk janë lëshuar urdhëresa gjyqësore, me çka janë përgjuar mbi 20 mijë qytetarë.

Kategoritë
LajmeRajoni