Mali i Zi do të kërkojë naftë në det mes Tivarit dhe Ulqinit

Në bregdetin e Malit të Zi do të nisin shpimet për zbulimin e naftës, por kjo shkaktuar reagime pasi mund të prishë ekosistemin dhe sezonin turistik.

Kompania italo-ruse “Eni-Novatek” më 25 mars do të nisë shpimin e puseve hulumtuese për gjetjen e naftës ne thellësitë e nëndetit të Malit të Zi. Hulumtimi i naftës dhe gazit nën detin e Malit të Zi është në qendër të vëmendjes së opinionit, pasi që nga qeveria malazeze është paralajmëruar se më 25 mars, do të nisë shpimi i pusit të parë për hulumtim, i cili gjendet rreth 28 kilometra nga bregu i detit, në jug të Malit të Zi, në ujërat detare ndërmjet Tivarit dhe Ulqinit.

Deri në fund të vitit 2021 do të bëhet e ditur se a ekzistojnë në këtë lokacion depozita të hidrokarbureve. Deri tani, Mali i Zi i ka nënshkruar dy kontrata për hulumtimin dhe prodhimin e naftës dhe gazit.

Kontrata e parë është nënshkruar në vitin 2016 me kompaninë italo-ruse “Eni dhe Novatek”, për katër blloqe hulumtimi, për një periudhë prej shtatë vjetësh, ndërkaq kontrata tjetër është nënshkruar një vit më vonë me kompaninë greke “Energean”, për dy blloqe hulumtimi, me të njëjtin afat për hulumtim.

Lëvizja qytetare “Ura” kundërshton këtë nisëm dhe propozon shpalljen e një referendumi pro ose kundër këtyre hulumtimeve. Nga Ministria e Ekologjisë, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit, sigurojnë se do t’i mbikëqyrin të gjithë parametrat mjedisorë, që lidhen me gjendjen e ekosistemit detar, si dhe që pas shenjës së parë të prishjes së tij, do të veprojnë.

“Jo vetëm për shkak të ruajtjes së bregdetit malazez, por edhe për shkak të Kroacisë fqinje. Çdo rrjedhje eventuale e naftës, e gazit ose çfarëdo qoftë, për rreth 20 kilometra nga bregdeti ynë, mund të ndikojë në Kroacinë fqinje, për shkak të rrymave të detit që shkojnë në drejtim të saj”, ka thënë sekretari i Ministrisë së Ekologjisë, Danilo Mrdak.

Ndonëse në qeveri sigurojnë që ruajtja e mjedisit jetësor është primare, ekologët dhe bashkësitë lokale e kundërshtojnë ashpër këtë ide. Ata kanë frikë nga rrezikimi i mjedisit jetësor dhe i turizmit.

Kategoritë
LajmeRajoni