Macron i shkruan Vuçiqit, ia përmend dialogun me Kosovën, por jo njohjen reciproke

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i ka dërguar një mesazh urimi presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me rastin e sitës së shtetit serb.

Macron ia ka përmendur Vuçiqit edhe dialogun me Kosovën, duke i dhënë mbështetje për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, por pa përmendur njohjen reciproke.

“Ndërsa diskutuam në Paris, unë mbetem i vendosur t’i mbështes përpjekjet në lidhje me dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, me mbështetjen e ndërmjetësimit evropian, me synimin për të përfunduar një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare që do të kontribuojë në stabilitetin e të gjithë rajonit”, shkruan Macron në mesazhin e tij të urimit.

Presidenti francez kujtoi edhe takimin e fundit me Vuçiqin.

“Isha shumë i lumtur kur shkëmbyam mendime në Paris më 1 shkurt, duke riafirmuar marrëveshjen dhe vullnetin e përbashkët për të thelluar më tej marrëdhëniet tona dypalëshe”, thuhet në mesazhin e Macronit. “Realizimi i projektit të metrosë në Beograd, si një simbol i bashkëpunimit tonë, do të mundësojë, jam i bindur, tërheqjen e investime të tjera franceze.

Në emër të qeverisë amerikane, edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i ka përgëzuar qytetarët serbë për ditën e shtetit, ndërsa ia ka përsëritur Serbisë kërkesën e presidentit të SHBA-së, Joe Biden për njohje reciproke me Kosovën.

Kategoritë
LajmeRajoni