Lekaj: Kurti flet për diasporën vetëm dy javë në verë dhe dimër, kur ata vijnë për pushime

Partitë opozitare vazhdojnë të drejtojnë gishtin drejt Qeverisë Kurti, me pretendimin që mërgatën po e përdor vetëm për poenta politike e interesa elektorale.

Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thotë që kryeministri Kurti flet për diasporën vetëm dy javë në verë dhe dimër kur ata vijnë për pushime, duke shtuar se sipas tij është kryeministër qe 5 vite dhe ndryshimi rrënjësorë që u ka premtuar është baraz me zero.

“Kryeministri Kurti e do diasporën vetëm në kohë të zgjedhjeve, ndërsa shkruan dhe flet për ta vetën dy javë në verë dhe dimër kur ata vijnë në pushim për ti mashtruar me ëndrra e llafe të kota. Po harron që është kryeministër që 5 vite dhe që u ka premtuar diasporës ndryshim rrënjësorë, ndërsa faktikisht rezultatet janë baraz me zero“, ka thënë Lekaj.

Ai thotë se qeveria Kurti nuk bëri mirëqenie për qytetarët, as zhvillim ekonomik e as ndonjë përparim në arenën ndërkombëtare.

Tutje, Lekaj u shpreh se është e pritshme që të gjitha sondazhet e nxjerrin LVV-në që ka rënie në votë përderisa pritjet e premtimet ishin të mëdha.

“Lëvizja Vetëvendosje ka rënie të madhe në votë dhe përkrahje nga populli. Premtimet dhe pritjet ishin shumë të mëdha, ndërsa nuk u bë asgjë, prandaj është e pritshme që të gjitha sondazhet e nxjerrin që ka rënie në votë të VV-së, në krahasim me zgjedhjet e fundit nacionale“, përfundoi Lekaj.

Mandati aktual i qeverisë shkon deri në fillimin e vitit të ardhshëm, dhe megjithëse debatin për zgjedhje të parakohshme opozita ka kohë që e ka nisur, derisa ende nuk duket të ketë diçka konkrete./Lajmi.net/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi