Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se dje bashkë me ministrat Xhelal Sveçla dhe Elbert Krasniqi kanë qëndruar në veri të vendit.
Sipas Kurtit këto vizita janë për punë e zhvillim në këtë pjesë të Kosovës.
“Dje ishim për vizitë në Leposaviq fillimisht, përkatësisht në fshatrat Bistrisë e Leshak e më pas në Mitrovicën e Veriut. Vizitat tona të zyrtarëve shtetërorë në këto komuna nuk janë kundër askujt, por janë të domosdoshme për të kuptuar nevojat që këto komuna i kanë pasi të kemi lënë anash çfarëdo paragjykimi për të cilin Qeveria angazhohet që nga dita e parë e saj.
Pikërisht për t’i flakur paragjykimet e ndërsjellta dhe për të kuptuar se sa anash janë lënë qytetarët atje ne po i bëjmë këto vizita, që janë vizita puna”,tha Kurti, shkruan lajmi.net.
Kryeministri deklaroi se atje po bëhen investime që s’janë bërë në dy dekada më herët, po u shtohen shërbime që i kanë munguar qytetarëve.
“Pas raportimeve se në katër komuna verore po funksionojnë komuna paralele të Serbisë e po zhvillohen veprimtari ilegale institucionet tona morën veprime ligjore për mbylljen e tyre. Kjo na ka mundësuar neve si institucione që më pas të ofrojmë shërbime të ligjshme. Në ato objekte do të funksionalizohen Njësia e Patentë-shoferëve në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës, Qendra për Punë Sociale në kuadër të Ministrisë së Punës, pastaj Shërbimi për Regjistrimin e Automjeteve në kuadër të MPB-së e shërbime të tjera në kuadër të ministrive të tjera”,shtoi ai.
Kryeministri njëashtu tha se “Qeveria jonë nuk po mbyll zyre, përkundrazi po hap zyre. Nuk po zvogëlon shërbimet, por po i shton ato. S’po i largon shërbimet publike prej qytetarëve, por po i afron ato”./Lajmi.net/