Kurti për Marrëveshjen e Uashingtonit: Së pari ajo e Brukselit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se dëshiron që Marrëveshja e Brukselit e arritur vitin e kaluar me Serbinë, të zbatohet fillimisht, e më pas të trajtohet ajo e Uashingtonit.

I pyetur nëse është e pranueshme për të tani Marrëveshja e Uashingtonit – e arritur më 2020 në Shtëpinë e Bardhë –nëse administrata e re amerikane e Donald Trumpit, insiston në zbatimin e saj, Kurti tha se pret që marrëveshja tjetër, ajo e Brukselit, të nënshkruhet.

“Unë mund të jem përgjegjës për marrëveshjet në të cilat kam marrë pjesë dhe kam pranuar dhe pres të njëjtën gjë edhe nga Beogradi, edhe pse ata e shtypin dhe nuk e respektojnë këtë marrëveshje. Le të fillojmë me marrëveshjen e fundit, e cila është një marrëveshje gjithëpërfshirëse, sepse ajo normalizon marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes njohjes de facto të njëra-tjetrës”, tha Kurti, pas pjesëmarrjes në një ngjarje në Prishtinë.

Kosova dhe Serbia u pajtuan për Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve vitin e kaluar. Marrëveshja nuk është nënshkruar, por Bashkimi Evropian – që ndërmjetëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë – insiston se ajo është obligative për palët.

Ndërkaq, Marrëveshja e Uashingtonit për normalizim ekonomik u arrit në shtator të vitit 2020 mes SHBA-së dhe Kosovës e Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit Donald Trump. Kjo marrëveshje, që përfshiu edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli, nuk është zbatuar plotësisht. /REL/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi