Kurti i çonte mesazh Liburn Aliut se pozicionohet edhe për zgjedhjet në SHBA, por tani ka ndryshuar mendje

Unë flas publikisht se kush duhet mbështetur edhe në Bashkimin Evropian e në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e lëre më në Ulqin e Preshevë”, thoshte kryeministri i Kosovës para pak muajsh derisa fliste për një vërejtje që ia kishte bërë Ministri i tij Liburn Aliu për mbështetjen e kandidatëve të caktuar shqiptarë në Luginë të Preshevës. Të martën, pyetjes se kë e mbështet në zgjedhjet presidenciale në SHBA hezitoi t’i përgjigjej, duke i përmendur dy arsye.

 

Kryeministri i Kosovës refuzoi të tregojë të martën nëse e mbështet zëvendëspresidenten e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris në garën e saj presidenciale me ish-presidentin Donald Trump në zgjedhjet e 5 nëntorit për Shtëpinë e Bardhë.

Albin Kurti, i cili ka mbështetur parti e kandidatë të caktuar pothuajse në të gjitha shtetet përreth, hezitoi të flasë në konferencën për media lidhur kandidatët në zgjedhjet presidenciale në SHBA.

“Së pari, unë tash jam kryeministër i Republikës së Kosovës dhe bashkëpunoj me udhëheqës të shteteve që janë nga të gjitha anët e spektrit politik si kryeministër i Republikës së Kosovës. Si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, natyrisht që jam socialdemokrat, jam demokrat. Dhe nuk kam asgjë të re të shtoj. Marr pjesë në të gjitha konferencat, samitet e partive simotra, edhe në Evropë, edhe në botë, edhe të partive të tjera siç ishte ajo në Chicago në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, nuk kam ndonjë gjë tjetër të them”, tha ai fillimisht, duke iu referuar pjesëmarrjes së tij në Konventën e Partisë Demokratike në SHBA.

Ndërsa iu përmend Richard Grenell, diplomati të cilin Trump e kishte dërguar për t’u marrë me çështjet e Ballkanit Perëndimor, e me të cilin kishte pasur marrëdhënie shumë të këqija, Kurti hezitoi të hyjë në “hipoteza mbi hipoteza”.

“T’i shohim rezultatet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe më pastaj t’i shohim edhe përzgjedhjet që bëhen nga ana e kandidatit që fiton. Pra, nuk do të kisha bë tash gjimnastikën cerebrale të hipotezave mbi hipotezat se nëse fiton ky, e nëse ai kur t’fitojë, e s’po dimë a fiton, a e zgjedhë këtë tjetrin që s’po dimë a e zgjedhë. E pastaj kur e zgjedh, nëse e zgjedhë ai që fiton, e që s’po e dimë a fiton, çka do të thotë. Pra, nuk kisha hyrë në këtë, sidomos edhe për shkak se na ndajnë shumë pak ditë nga zgjedhjet atje dhe se kjo është foltorja e kryeministrit”, tha kryeministri.

Pak muaj më parë, qasja udhëzuese e Kurtit u kritikua nga ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili e kishte konsideruar “gabim” që “duhet të rregullohet sa më parë” vendimin për ta mbështetur publikisht Partinë për Veprim Demokratik në zgjedhjet lokale në Luginën e Preshevës.

Kurti i përgjigjej bashkëpartiakut të tij, duke ia kujtuar se kryeministri flet edhe se kush duhet mbështetur edhe në BE e SHBA, “e lëre më në Ulqin e Preshevë”.

“Lëvizja Vetëvendosje e ka qëndrimin e qartë dhe i merr vendimet në organet e veta. Ne e kemi mbështetur edhe Shaip Kamberin në zgjedhjet parlamentare. Aty nuk ka qenë vetëm një bllok, kanë qenë dy blloqe, dhe ne jemi përcaktuar për ta mbështetur aso kohe bllokun të cilit i ka prirë Shaip Kamberi”, thoshte Kurti para gazetarëve më 2 qershor, kur i kërkohej një koment për deklaratën e Aliut.

“Unë jam kryeministër i Republikës, por njëkohësisht edhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje. Ju e dini që unë flas publikisht se kush duhet mbështetur edhe në Bashkimin Evropian e në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e lëre më në Ulqin e Preshevë”, shprehej ai.

Kurti me partinë e tij kishte garuar në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, kishte intervenuar në zgjedhjet në Luginë, ia kishte dhënë një dorë opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut, e kishte treguar vërtetë, se kë duhet votuar edhe në BE e SHBA. Në zgjedhjet e kaluara presidenciale atje, kishte porositur që shqiptarët atje të votonin për Joe Biden dhe jo për Donald Trump.

Kategoritë
LajmeVendi