Kurti e pranoi Marrëveshjen e Ohrit, Gërvalla thotë se dialogu me Lajcak s’pati rezultatet e dëshiruara

Ministrja e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla Schwarz, ka folur sot për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo ka kritikuar emisarin sllovak, Miroslav Lajcak, se dialogu i drejtuar nga ai s’ka sjellë rezultatet e dëshiruara apo të premtuara, shkruan Gazeta Express.

Ndërkohë që zëvendëskryeministrja Gërvalla jep një deklaratë dhe vlerësim të tillë negative për punën e Lajcak, Bashkimi Evropian e konsideron si ligjërisht obligative marrëveshjen Bruksel-Ohër të ndërmjetësuar pikërisht nga Lajcak, marrëveshje e cila tashmë është kusht në rrugën e Kosovës drejt BE-së.

Madje kryeministri Kurti kërkon me ngulm nënshkrimin e asaj marrëveshje të ndërmjetësuar nga emisari sllovak, ndonëse kryediplomatja Gërvalla konsideron se puna e tij s’ka pasur rezultatet e dëshiruara.

“Dialogu i drejtuar nga Lajcak nuk ka sjell rezultatet e dëshiruara apo të premtuara. Shpresojmë shumë që Komisioni i ardhshëm të fillojë punën sa më shpejt që të shohim se cilat janë mundësitë që do të ofrojë procesi i dialogut”, ka thënë Gërvalla.

Kategoritë
LajmeVendi