Kryeministri libian: Marrëveshja me Turqinë është në interes të Libisë

“Marrëveshja turko-libianë në Mesdheun Lindor është në interes të shtetit të Libisë”, tha Dbeibeh, duke shtuar se pas marrëveshjes Libia ka fituar “një pjesë të mirë të së drejtës së saj për gaz natyror”

Kryeministri i caktuar i Libisë, Abdul Hamid Dbeibeh, ka deklaruar se marrëveshja detare turko-libiane në Mesdheun Lindor është në interes të vendit të tij, raporton Anadolu Agency (AA).

Komentet e kryeministrit libian vijnë në përgjigje të një pyetjeje lidhur me marrëveshjen turko-libiane në një seancë parlamentare të mbajtur në Sirte për votën e besimit mbi qeverinë e re të përkohshme të udhëhequr nga Dbeibeh.

“Marrëveshja turko-libianë në Mesdheun Lindor është në interes të shtetit të Libisë”, tha Dbeibeh, duke shtuar se pas marrëveshjes Libia ka fituar “një pjesë të mirë të së drejtës së saj për gaz natyror”.

Më 27 nëntor të vitit 2019, qeveria e Libisë e njohur ndërkombëtarisht nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi për sigurinë dhe për caktimin e kufirit detar me Turqinë.

Dbeibeh mbërriti në Sirte dje për të prezantuar planin e tij ministror në Dhomën e Përfaqësuesve, që përfshin 26 portofole ministror dhe 6 ministra të shtetit.

Më 5 shkurt, Forumi për Dialog Politik zgjodhi një autoritet ekzekutiv të unifikuar, detyra kryesore e të cilit është të përgatit mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare më 24 dhjetor.

Libianët shpresojnë se ky hap do t’u japë fund viteve të konfliktet të armatosur në vendin e pasur me naftë.

Kategoritë
BotaLajme