Kroacia që nga 1 janari i vitit të ardhshëm do të futë shërbimin ushtarak të detyrueshëm

 Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Kroacia do të futë shërbimin ushtarak të detyrueshëm që do të zgjasë dy muaj, njoftoi ministri i mbrojtjes së Kroacisë, Ivan Anušić.

“Shërbimi ushtarak i detyrueshëm do të zgjasë dy muaj, duke filluar nga 1 janari i vitit 2025. Ne vazhdojmë me të gjitha aktivitetet që kemi njoftuar deri tani. Kemi rritur pagat për ushtarët, nënoficerët dhe oficerët, dhe të drejtat e tyre materiale janë përmirësuar, jo vetëm përmes pagave, por edhe përmes dietave dhe përfitimeve të tjera”, deklaroi Anushiç.

Ministri gjithashtu komentoi spekulimet mbi mundësinë e zvogëlimit të buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes për shkak të rishikimit të buxhetit të shtetit. Anušić theksoi se në marrëveshje me ministrin e financave është vendosur që në procesin e modernizimit dhe pajisjes së Forcave të Armatosura nuk ka vend për kursime.

“Ne vazhdojmë të pajisim dhe modernizojmë Forcat tona të Armatosura sipas planeve dhe marrëveshjeve me aleatët e NATO-s. Jam i bindur se do të kemi një ushtri shumë më të fortë dhe më cilësore se sa kemi pasur deri tani”, tha Anushiç.

Anushiç vuri në dukje se ky është qëndrimi i Qeverisë së Kroacisë, duke theksuar se situata aktuale e sigurisë nuk lejon kursime në këtë fushë.

Kroacia e pezulloi përkohësisht shërbimin ushtarak të detyrueshëm në vitin 2008, dhe që atëherë ushtria ishte ekskluzivisht mbi baza vullnetare. Megjithatë, pas agresionit rus në Ukrainë dhe përkeqësimit të situatës globale të sigurisë, Kroacia filloi të shqyrtojë rivendosjen e shërbimit ushtarak të detyrueshëm.

Kategoritë
LajmeRajoni