Kroacia planifikon të blejë tanke moderne “Leopard” nga Gjermania, të vjetrat do t’i japë Ukrainës

Kroacia planifikon të marrë 50 tanke të reja gjermane Leopard 2A8, sipas informacioneve jozyrtare nga mediat kroate. Sot, në Berlin, ministri kroat i mbrojtjes Ivan Anušić dhe ministri gjerman i mbrojtjes Boris Pistorius do të nënshkruajnë një letër synimi, që do të shënojë hapin e parë në këtë blerje.

Gjermania ka ftuar Kroacin të bashkohet me programin e përbashkët për blerjen e tankut kryesor të betejës Leopard 2A8, versioni më modern i prodhuar nga Rheinmetall, prodhuesi kryesor evropian i armëve, shkruan Index.hr.

Sipas informacioneve të disponueshme, modeli i blerjes parashikon që Kroacia, në dërgesën e parë për Ukrainën, të dërgojë 30 tanke M-84 dhe 30 mjete luftarake të këmbësorisë M-80 nga rezervat e tij, duke përfshirë pjesët rezervë dhe municionin.

Shuma që do të paguante Ukraina për këto tanke dhe mjete do të ulte çmimin e përgjithshëm të blerjes së Leopard 2A8 për Kroacinë.

Ushtria kroate aktualisht disponon rreth 70 tanke M-84 të mirëmbajtura. Zëvendësimi i këtyre tankeve të vjetra, të prodhuara gjatë kohës së ish-Jugosllavisë, me tanke të reja Leopard 2A8 konsiderohet kyç për modernizimin e forcave të armatosura kroate.

Qeveria pritet të marrë një vendim formal për financimin shumëvjeçar të këtij projekti deri në mes të nëntorit. Atëherë pritet të bëhet e njohur edhe çmimi përfundimtar i Leopardëve dhe detaje të tjera.

Kategoritë
LajmeRajoni