“Plani është që nga fillimi i shtatorit çmimet të vendosen në euro dhe kuna dhe të fillohet procesi i sensibilizimit të qytetarëve ndaj euros përpara futjes së euros”, tha kryeministri kroat Plenkoviç.
Nga shtatori i këtij viti, të gjitha çmimet në Kroaci do të paraqiten në euro dhe kuna ndërsa euro do të jetë valuta e vetme me vlerë nga 1 janari 2023, njoftoi kryeministri kroat Andrej Plenkoviç, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri kroat, Plenkoviç dhe ministri i Financave, Zdravko Mariç prezantuan në ndërtesën e Qeverisë projektligjin për futjen e euros si monedhë zyrtare në Kroaci dhe udhëzimet për rregullimin e ekonomisë në procesin e zëvendësimit të kunës kroate me euron.
Ligji do të dërgohet sot zyrtarisht në procesin e konsultimit publik.
Në fjalimin e tij, Plenkoviç tha se më 10 korrik 2020, Kroacia u pranua në Mekanizmin Evropian të Kursit të Këmbimit dhe në Unionin Bankar, i cili konfirmoi reputacionin e vet se ajo i përmbush sistematikisht objektivat për zonën e euros dhe se Kroacia miratoi planin për zëvendësimin e kunës me euron një vit më parë.
Ai bëri të ditur se gjatë vitit 2022 qeveria kroate do të dërgojë rreth 70 ligje që kanë të bëjnë me futjen e euros, meqë euro do të futet si valutë zyrtare në Kroaci nga data 1 janari 2023.
“Për një vit, mjeti i vetëm i pagesës në Kroaci do të jetë euro”, tha Plenkoviç.
Ai bëri të ditur se ligji i ri për mbrojtjen e konsumatorit do të ndalojë rritjen e pajustifikuar të çmimeve.
Plenkoviç theksoi se gjatë vitit të ardhshëm, duke filluar nga 1 janari 2023, në banka dhe posta kroate, nuk do të ketë shpenzime për qytetarët gjatë shkëmbimit të kunës në euro.
Në pesë, dhjetë ose më shumë vitet e ardhshme, çdo qytetar do të mund të shkëmbejë falas kartëmonedhat kuna në Bankën Kombëtare Kroate për euron.















