Kroaci, mijëra sipërmarrës protestojnë kundër masave ekonomike

“Ne nuk jemi kundër masave epidemiologjike, por nëse shteti vendos të mbyllë dikë, ne besojmë se duhet ta kompensojë atë në mënyrën e duhur”, tha drejtori ekzekutiv i UGP-s, Oreshçanin.

Të organizuar nga “Zëri i Sipërmarrësve” (UGP), mijëra protestues nga të gjitha pjesët e Kroacisë u mblodhën në sheshin “Ban Jelaçiç” në Zagreb për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj masave ekonomike të vendosura nga qeveria në mes të krizës së COVID-19, e cila shumë sipërmarrës solli para vështirësive financiare, raporton Anadolu Agency (AA).

Protesta u organizua nga UGP për të paralajmëruar qeverinë kroate dhe parlamentin për pabarazinë e masave epidemiologjike, masat e pamjaftueshme ekonomike dhe kompensimin për kompanitë e prekura nga kriza që shkaktoi koronavirusi.

Së bashku me sipërmarrësit e Zagrebit nga profesione të ndryshme, kryesisht nga industria e hotelerisë, në protestë erdhën protestues nga Dalmacia, Istria, Rijeka, Vinkovci, Virovitica, Varazhdini, ndërsa protesta u mbështet nga qytetarë disa politikanë dhe deputetë.

“Ne nuk jemi kundër masave epidemiologjike, por nëse shteti vendos të mbyllë dikë, ne besojmë se duhet ta kompensojë atë në mënyrën e duhur”, tha drejtori ekzekutiv i UGP-së, Drazhen Oreshçanin.

Ai shtoi se ky kompensim do të ishte i mundur nëse shteti shpall gjendjen e jashtëzakonshme.

“Mesazhi që ne duam të përcjellim është se masat ekonomike nuk janë mjaft të mira. Tri gjëra janë problematike. Këto masa janë diskriminuese ndaj aktiviteteve të caktuara që nuk lejohen të funksionojnë dhe nuk ka asnjë provë që ato ndikojnë në përhapjen e infeksionit. E dyta është se nevojitet kompensimi i duhur për ata që kanë rënie të madhe të të hyrave dhe formalisht nuk janë të mbyllura. Mesazhi i tretë është që pagesa e masave të pagës minimale për punonjësit duhet të vijë rregullisht dhe jo me disa muaj vonesë si më parë”, tha për AA, Oreshçanin.

Me duartrokitje, me mbështetje të fortë dhe brohoritje, të pranishmëve iu drejtua pronari i palestrës së Zagrebit, Andrija Klariç, i cili u ndalua të hënën për hapjen e objektit, pavarësisht paralajmërimeve se do të ndëshkohet dhe ndalohet.

“Jemi mbledhur që të themi se ata nuk mund të na marrin lirinë. Ai që është i gatshëm të sakrifikojë lirinë për hir të sigurisë, nuk e meritoi as njërën as tjetrën”, u tha Klariç të tubuarve.

Në fjalimin e tij, ai mirëpriti punonjësit shëndetësorë dhe përpjekjet e tyre në trajtimin e pacientëve me COVID-19, duke theksuar se ai beson se virusi është i pranishëm dhe i rrezikshëm, por që masat e zbatuara nga qeveria nuk janë në përputhje me rrethanat ekonomike dhe se si synim do të kenë mbylljen e shumë kompanive.

“Nëse nuk jeni në gjendje të drejtoni krizën e COVID-19, shkoni dhe bëni diçka tjetër”, u tha Klariç politikanëve në pushtet ndërsa të tubuarit brohorisnin “dorëheqje, dorëheqje”.

“Sipërmarrësit janë partnerë, jo barrë”, “Na lejoni të punojmë”, “Andrej, mjaft më”, “Na ktheni jetët tona”, “Mjaft nepotizëm, mjaft korrupsion”, ishin disa nga pankartat e shfaqura nga protestuesit në sheshin kryesor të Zagrebit.

Përmes video-transmetimeve, një numër sipërmarrësish kanë përshkruar problemet me të cilat përballen për shkak të krizës së koronavirusit dhe pamjaftueshmërisë së masave ekonomike të qeverisë.

Kategoritë
LajmeRajoni