Pas krizës së krijuar ditëve të fundit në radhët e ushtarëve të FSK-së për shkak të shkëputjes së kontratës me kompaninë përgjegjëse për furnizmin e ushqimit, Ministria e Mbrojtjes ka hapur konkurs për 106 vende të reja punë, shkruan Gazeta Metro.
Pikërisht në kohë fushate dhe para zgjedhjeve, Ministria e Mbrojtjes gjatë ditëve të ardhshme do t’i punësojë 106 njerëz.
Kjo vjen si rrjedhojë e problemeve në furnizimin e ushqimit për ushtarët e FSK-së gjatë javëve te fundit, për ç’gjë edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, raportoi ditë më parë në Komisionin Parlamentar për Siguri.
Ministria e Mbrojtjes përmes një postimi në Facebook tregoi se për çfarë pozita është hapur konkursi.
“Kuzhinier (25), ndihmëskuzhinier (23), shpërndarës ushqimi (42), Pastrues të enëve (16)”, njofton Ministria, duke mos dhënë detaje sa u përket pagave për këto pozita.
Ky konkurs i Ministrisë së Mbrojtjes do të jetë i hapur deri më 24 tetor, pra vetëm 9 ditë.