Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur mbledhjen e radhës, raporton Ekonomia Online.
Në vazhdim të mbledhjes, KQZ mori vendim për regjistrimin e partisë politike Bashkimi Demokratik me akronim BD. Më 18 tetor 2024, iniciativa politike e quajtur Bashkimi Demokratik (BD), udhëheqës i së cilës është Ajvaz Berisha, ka dorëzuar aplikacionin për regjistrim.
Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) ka shqyrtuar dhe verifikuar të gjithë dokumentacionin e dorëzuar, përfshirën statutin, programin, aktin e themelimit, simbolin, raportin financiar dhe librezën e nënshkrimeve të përkrahjes së votuesve të regjistruar.Zyra ka shpallur për shqyrtim publik në faqen zyrtare të KQZ kërkesën e kësaj iniciative politike nga data 22 tetor – 28 tetor 2024. Gjatë periudhës së shqyrtimit publik, Zyra nuk ka pranuar asnjë ankesë që ndërlidhet me aplikimin për regjistrim të kësaj iniciative politike. Bashkimi Demokratik (BD) do të përfshihet në regjistrin e partive politike të regjistruara në Kosovë me numrin rendor 54.
Sipas KQZ-së është duke vazhduar periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës, e cila ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë më 26 dhjetor 2024. Në bazë të të dhënave, deri më 7 nëntor 2024, në orën 09:00, janë pranuar 1,524 kërkesa për ndërrimin e Qendrës së Votimit (1,171 përmes platformës elektronike dhe 353 në zyrat e Komisioneve Komunale http://qv.kqz-ks.orgtë Zgjedhjeve) prej të cilave janë aprovuar 1,482 kërkesa, ndërsa 42 të tjera janë refuzuar.
Po ashtu është duke vazhduar periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, e cila ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë më 26 dhjetor 2024. Në bazë të të dhënave, deri më 7 nëntor 2024, në orën 09:00, përmes platformës elektronike http://diapsora.kqz-ks.org janë pranuar rreth 14,030 kërkesa për regjistrim, prej të cilave janë aprovuar 13,033, ndërsa 988 të tjera janë refuzuar. Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk janë fotografuar duke mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për listën e Qendrave të Votimit të cilat do të hapen më 9 shkurt 2025 për procesin e votimit në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës.
Sipas vendimit të KQZ-së, numri i Qendrave të Votimit në të cilat do të mbahet procesi i votimit është rreth 940, prej të cilave 38, nga një QV për çdo komunë, do të shërbejnë për votimin me kusht.