Kosovë, aksion në mbështetje të shërbimeve për fëmijët

“Nuk ka drejtësi pa shërbime sociale”, “Çdo fëmijë ka nevojë për familje, familja ka nevojë për mbështetje”, ishin disa nga mesazhet që bartnin aktivistët në tubim.

Koalicioni i organizatave joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, i cili përfaqësohet nga 34 organizata, ka mbajtur një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës duke ngritur alarmin për veprim nga Komunat, Qeveria dhe Kuvendi se “shërbimet për fëmijë po mbyllen”, raporton Anadolu.

Sipas organizatorëve të këtij tubimi, aktiviteti u bë me qëllim të thirrjes për veprim nga komunat, qeveria dhe kuvendi, lidhur me gjendjen e rëndë të nivelit të ofrimit të shërbimeve sociale.

“Pse të kërkoj diçka që më garanton Ligji dhe Kushtetuta”, “Nuk ka drejtësi pa shërbime sociale”, “Çdo fëmijë ka nevojë për familje, familja ka nevojë për mbështetje”, ishin disa nga mesazhet që bartnin aktivistët në tubim.

Lulije Lulja, në një deklaratë për media tha se shërbimet sociale për fëmijët po mbyllen dhe ky duhet të jetë një alarm për institucionet e Kosovës.

“Duke filluar nga janari i këtij viti, një pjesë e shërbimeve për fëmijët janë mbyllur, një pjesë e ofruesve të shërbimeve kanë kufizuar shërbimet dhe një pjesë tjetër ka kufizuar numrin e përfituesve fëmijë por edhe prindërve dhe familjeve të tyre. Kjo situatë në qoftë se vazhdon njëjtë edhe për muajt në vijim do të vijojë me mbyllje të tjera të shërbimeve, që mund të çojë edhe në një kolaps në fushën e mbrojtjes të të drejtave të fëmijëve dhe të përbëjë një precedent për shtetin e Kosovës”, theksoi Lulja.

Ajo tha se në dhjetor të vitit 2023 për pjesën më të madhe të ofruesve të shërbimeve kanë përfunduar programet të cilat kanë qenë në mbështetje të shërbimeve sociale të mbështetura nga donatorët ndërkombëtarë.

Që nga 31 marsi 2024, 55 fëmijë me aftësi të kufizuara në Komunën e Ferizajt mbetën pa shërbime sociale e terapeutike. Shoqata “Handikos” që i ka ofruar këto shërbime, nuk ka projekte aktive që mbështeten financiarisht nga niveli lokal e ai qendror, derisa në situatë të njëjtë ndodhen edhe degët e “Handikos”-it në komunat e tjera.

Prindërit e fëmijëve u ankuan për pasojat nga mungesa e shërbimeve specifike.

Në prill, Ministria e Drejtësisë ka hapur thirrje publike për mbështetje financiare për projektet e OJQ-ve të licencuara në fushën e shërbimeve sociale dhe familjare.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi