Para vjeshtës nuk pritet të ngrihet ndonjë aktakuzë për rastin e sulmit në Banjskë, thonë burime të Radios Evropa e Lirë në Prokurorinë Speciale të Kosovës.
Në atë kohë do të bëhet një vit që kur grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës në këtë fshat në veri, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-politikan dhe biznesmen nga veriu i Kosovës, i cili besohet se gjendet në Serbi.Hetime, paralelisht, është duke kryer edhe Prokuroria e Lartë Publike në Beograd.
Deri ku mbërritën hetimet në Kosovë?
Burimet e Radios Evropa e Lirë në Prokurorinë Speciale të Kosovës thonë se “punët rreth rastit janë në fazën finale” dhe se “hetimet në rastin e Radoiçiqit kanë marrë epilogun përfundimtar”.
“Pas përfundimit dhe ekzaminimit të disa raporteve periferike, do të procedohet tutje”, thonë ato.
Hollësi të tjera nuk japin, pos që aktakuza nuk pritet të ngrihet para vjeshtës.
Ndërsa Radoiçiq besohet të jetë i lirë në Serbi, në Kosovë janë të ndaluar tre persona në lidhje me rastin.
Në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), i cili monitoron sistemin e drejtësisë në vend, thonë se Prokuroria Speciale është brenda afatit ligjor për kompletimin e aktakuzës, pasi me ndryshimet e fundit ligjore, periudha e paraparë për përfundimin e hetimeve dhe ngritjen e aktakuzës mund të shkojë deri në tre vjet, nga dy vjet e gjysmë sa ishte më herët.
Sipas IKD-së, Prokuroria ka para vetes një numër të konsiderueshëm të provave materiale dhe të të dyshuarve për sulmin.
Nga ky institut, megjithatë, theksojnë se Prokuroria duhet ta njoftojë më shumë opinionin për rrjedhën e hetimeve – “pa i dëmtuar ato, të tregohet se deri ku kanë mbërritur”.
Në fund të vitit të kaluar, në bazë të një kërkese të Ministrisë së Brendshme të Kosovës, organizata ndërkombëtare e policisë, INTERPOL, lëshoi fletarrestim për Radoiçiqin.
Se ku saktësisht ndodhet Radoiçiq, nuk është e qartë, por presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha pas sulmit se ai gjendet në “territorin e Serbisë qendrore”.
Radoiçiq e mori përgjegjësinë për atë sulm më 29 shtator, përmes avokatit të tij.
Në fillim të tetorit, Gjykata e Lartë në Beograd e refuzoi kërkesën e Prokurorisë për ndalimin e tij dhe e la të lirë, por ia konfiskoi pasaportën dhe ia ndaloi shkuarjen në Kosovë.
E kontaktuar më 15 korrik nga Radio Evropa e Lirë, Prokuroria e Lartë Publike në Beograd tha se “hetimet janë duke vazhduar”.
“Në këto hetime, Prokuroria e Lartë Publike në Beograd bashkëpunon me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Drejtorinë Doganore dhe organet tjera shtetërore të Republikës së Serbisë, ndërsa për të konstatuar gjendjen e plotë faktike – përmes Ministrisë së Drejtësisë – ka kontaktuar edhe EULEX-in [Misionin e BE-së për sundim të ligjit në Kosovë”.
Çfarë thonë zyrtarë të BE-së?
Në një përgjigje me shkrim për REL-in, kjo zyrë konfirmoi se e ka pranuar këtë kërkesë dy javë më parë dhe se ajo u është përcjellë autoriteteve përkatëse të Kosovës.
“Ende nuk kemi marrë asnjë përgjigje [nga autoritetet e Serbisë]”, bëjnë me dije nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe shtojnë se autoritetet kosovare, ndërkohë, kanë kërkuar bashkëpunim të ndërsjellë juridik edhe me autoritetet në Bosnje dhe Hercegovinë dhe se një kërkesë e tillë i është dërguar Sarajevës zyrtare.
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd në tetor 2023 ka thënë tha se Radoiçiq akuzohet për sigurimin e armëve, municioneve dhe mjeteve shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla, në verilindje të Bosnje dhe Hercegovinës, nga janari deri më 24 shtator.
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, tha së voni se Serbia ka premtuar se Radoiçiq do të përballet me ligjin lidhur me ngjarjet e shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
Përndryshe, Radoiçiq është nën sanksionet e SHBA-së dhe të Britanisë së Madhe, për shkak të dyshimeve për krim të organizuar dhe korrupsion.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë me dorëzimin e Radoiçiqit dhe të “grupit të tij paramilitar terrorist” tek autoritetet gjyqësore të Kosovës.
Në një intervistë për Euronews Albania më 16 korrik, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se autoritetet në Prishtinë kanë prova se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka qenë drejtpërdrejt “i përfshirë në trajnimin e grupit terrorist që kreu sulmin në Banjskë”.
Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, reagoi në platformën X, duke thënë se “e vetmja dëshmi që ekziston, është persekutimi i serbëve nga Kurti dhe Sveçla”.
Në një tjetër zhvillim, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se nëse Serbia nuk ndëshkohet, ajo do ta përsërisë sulmin në Banjskë.