“Kosova është shkatërruar për 20 vite”, përplasen Hoti dhe Murati në Kuvend

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti i ka reaguar Ministrit të Financave, Hekuran Murati i cili tha se Kosova për 20 vite është shkatërruar dhe se s’mund të rikuperohet për një mandat.

Për këtë reagoi në Kuvend, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti i cili tha se Ministri mundohet që pozicionet e veta t’i mbrojë me propagandë të ulët.

Ai madje iu drejtua vet Ministrit duke i thënë se me çfarë fytyre thotë se Kosova është shkatërruar në këto 20 vite, kur Kosova ka 13 mijë persona të vrarë e njerëz pa gjymtyrë, e shkolla e shtëpi të shkatërruara, dhe se sipas tij kur shtrohen këto në Kuvend, s’ka vend për debat më.

“Me debatu me këtë person është problematike, se debaton me fanatizëm, nuk është i interesuar për të vërtetat. Ky me fanatizëm i mbron pozicionet e veta dhe vazhdon me propagandën e poshtër, të ultë. Me sa ftyrë del në foltore dhe i thu njerëzve që është shkatërruar Kosova qe 20 vite. Me 13 mijë njerëz të vrarë e njerëz pa gjymturë e shpi e shkolla të shkatërrume, e ti thu është shkatërruar Kosova gjatë këtyre 20 viteve. Kur i shtron këto në foltore të Kuvendit, nuk ka vend për debat më. Tregoju njerëzve, si mundesh me i qujt krejt bizneset që kanë bërë kontrabandë, e që tash ti po i regjistron, me sa moral njerëzor e politik flet kështu. Pse spe ndërtoni urën te Badovci, pse spi ndërtoni 160 çerdhe, kush ju ka ndalë”.

Ministri i Financave, Hekuran Murati në foltoren e Kuvendit të Kosovës, ku dhe po diskutohet për Buxhetin e vitit 2025, tha se diçka që është shkatërruar për 20 vite nuk mund të rikuperohet brenda një mandati.

Sipas Muratit, në qeverisjen Kurti ka pasur rritje dyshifrore të të hyrave buxhetore.

“Normalisht që merr kohë derisa të rindërtohet kapaciteti prodhues. Diçka që është shkatërruar për 20 vite vite, s’mund të rikuperohet brenda një mandati. Thatë që s’ka pasur rritje të të hyrave, sepse rritja e buxhetit të të hyrave ka ndodhur për cdo vit me radhë. Në qeverisjen tonë për katër vite me radhë, ka rritje dyshifrore të të hyrave buxhetore. Nëse e shikojmë të gjithë dekadën kur keni qeverisur ju, janë vetëm dy vite ku rritja e të hyrave buxhetore ka shënuar rritje dyshifrore. Ka qenë viti 2011 dhe viti 2016. Jemi qeveria e vetme ku katër vite radhazi kemi rritje dyshifrore të të hyrave tatimore”, deklaroi Murati para deputetëve.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi