Korenica i reagon Konjufcës: S’marr pjesë në asnjë votim pa u kthyer vajza në shkollë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica ka njoftuar sot se nuk do të marrë pjesë në asnjë votim në Kuvendin e Kosovës, pa u kthyer vajza e mbuluar me shami në shkollën “Bedri Pejani në Pejë”.

Ai tha se deklarimi i tij në Kuvendin e Kosovës nuk ka qenë fushatë.

“Unë nuk do të marr pjese në asnje votim pa u kthyer vajza në shkollë! Sot në seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, kërkova që të mos vazhdohet me seancë pa u kthyer në shkollë një vajze mbi 18 vjeçare, e cila është larguar padrejtësishtë që nga 1 shtatori. Udhëzimi administrativ është i jashtëligjshëm, qeveria është përgjegjëse për ndryshimin e tij. Besoj deri sot e kam dëshmuar që nuk bëj fushatë me bindjet e mija”, ka thënë ai.

Përndryshe, Korenica sot ka shfrytëzuar një hapësirë jashtë rendit të ditës për të ngritur çështjen e një nxënëse në shkollën “Bedri Pejani” në Pejë, të cilës i është ndaluar ndjekja e mësimit për shkak të bartjes së shamisë.

Ai iu drejtua kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, si dhe ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, që t’ia lejojnë asaj të drejtën për shkollim.

Por, Konjufca tha se meqë bashkëpartiaku iu drejtua, atij i duhet që t’ia tërheqë vërejtjen që doli jashtë rendit të ditës dhe i tha se fushata fillon në janar që të merret me “të gjitha problemet”.

“Unë si kryetar i Kuvendit, pra pasi po kërkon me qenë profesional duhet me ta tërheq vërejtjen që ishe ishe jashtë rendit të ditës. E para dhe besoj që fushata fillon nga 6-7 janari dhe e keni gjithë kohën e mjaftueshme m’i ngrit të gjitha problemet”.

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi