Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfshirë edhe shtetet e QUINT-it (Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Francën dhe Italinë) janë kundër hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve ekskluzivisht për shkaqe të sigurisë, megjithatë për kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, hapja e saj “nuk është kërcënim për sigurinë” dhe se potenciali për të eskaluar situata nga një vendim i tillë është zero.
Paralajmërimi i Qeverisë së Kosovës për hapjen e urës kryesore që bashkon Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut thelloi edhe më tej përçarjen në mes të ekzekutivit dhe bashkësisë ndërkombëtare.
Së fundmi ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tregoi arsyen pse komuniteti ndërkombëtar është kundër që në këtë fazë të hapet ura e Ibrit.
“Arsyeja pse e kërkojmë këtë është se besojmë se ka rrezik të njëmendtë që lidhet me një veprim të tillë tani, si dhe besojmë se ky rrezik shton kërcënimin e mundshëm për dhunë dhe probleme të tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë, të cilët po punojnë për të ofruar paqe dhe siguri në Kosovë”, tha Hovenier në një intervistë për Radio Evropën e Lirë.
Hovenier gjithashtu kishte potencuar se SHBA-të “marrim shumë seriozisht veprimet” që mund të ndikojnë në sigurinë e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën.
Përgjigjja ndaj shqetësimeve të Hovenier erdhi pikërisht nga numri dy i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili garantoi se nuk ka nevojë për shqetësim.
“Nuk ka kurrfarë potenciali për të eskaluar situata”, tha Konjufca në një intervistë për Klan Kosova, ndërsa potencoi se “hapja e kësaj ure është një domosdoshmëri”.
“Jemi vonë sa i përket hapjes së urës. Është dashur që kjo urë të mos mbyllet fare”, shtoi ai, në emisionin “DPT TE FIDANI”.
Kryekuvendari vlerësoi se Qeveria e Kosovës është e përcaktuar për t’u koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare për çështjen e urës së Ibrit, por që koordinimi nënkupton, sipas tij, “bindja e të dyja palëve që prania ushtarake mbi atë urë është e panevojshme”.
“KFOR-i e ka shtuar praninë e saj mbi urë, që nuk është dashur të ndodhë, është diçka paradoksale, më duket absurde. Ne jemi të përcaktuar për koordinim, e koordinimi është që duhet të bindemi të dyja palët që prania ushtarake mbi atë urë është panevojshme”, vlerësoi ai.
Qeveria e Kosovës në mes të korrikut njoftoi se synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Megjithatë, vendet e QUINT-it deklaruan se nuk e mbështesin hapjen për trafik të Urës në këtë moment.
Ndërkohë Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, deklaroi se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian./Albanianpost