Presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, është duke folur në një konferencë për media ku po përmend “masa” që shteti serb do të marrë ndaj Kosovës, për shkak të veprimeve të Qeverisë së Kosovës në veri të Republikës së Kosovës.
Vuçiq ka thënë se para se t’i shpall masat, ai do të japë kontekst për ngjarjet që kanë ndodhur dhe situatën.
Ai ka filluar duke sulmuar kundërshtarët politik në Serbi dhe ka shtuar se çfarëdo mase që do të ndërmerret, askush s’do të jetë i kënaqur.
“Kosova është fjala më e shtrenjtë për çdo serb, në të njëjtën kohë edhe më e lehtë për t’u përdorur dhe shpesh me lehtësinë e padurueshme të papërgjegjshmërisë, përdorimi dhe keqpërdorimi i saj na çoi në marrëzi, çfarëdo mase që të marrim, askush nuk do të jetë kurrë i kënaqur, përveç për një numër të vogël njerëzish racionalë që janë të sinqertë me veten, çfarëdo që të propozonim, të gjithë do të ishin kundër kësaj”, është shprehur Vuçiq.
“S’do të ketë zgjidhje për çështjen e Kosovës që do të ishte e kënaqshme për serbët”, ka shtuar tutje.
Pa përmendur masat, Vuçiq ka thënë se ato do të jenë “të vështira” dhe se “kërkojnë punë”, transmeton Express.
“Sigurisht, a do të kënaqin të gjithë-sigurisht që jo”, ka thënë ai.