Komuna e Obiliqit: Ndotja e ajrit nga KEK-u po ua shkurton jetën qytetarëve

Komuna e Obiliqit ka reaguar ashpër lidhur me nivelet e larta të ndotjes së ajrit, duke akuzuar Korporatën Energjetike të Kosovës për mosveprim.

Në një deklaratë të lëshuar, kjo komunë thekson se ndotja ka dalë jashtë përmasave normale dhe po ndikon direkt në shëndetin e qytetarëve.

Sipas pushtetit lokal në Obiliq, ndotja e ajrit dhe mjedisit është kthyer në një nga faktorët kryesorë që po shkakton shkurtim të jetës së banorëve.

“Shumë qytetarë po përballen me probleme shëndetësore, ndërsa një ndër sëmundjet më të përhapura është tumori i mushkërive”, thuhet në deklaratë.

“Që nga data 20 gusht deri më 15 shtator 2024, filtrat e termocentralit ‘Kosova B’ kanë qenë jashtë funksionit, duke shkaktuar tejkalime enorme të ndotjes. Ajri në Obiliq ka arritur nivele alarmante të ndotjes, ndërsa termocentrali ka krijuar një zhurmë të padurueshme, veçanërisht në orët e mbrëmjes,” thuhet në reagim.

Komuna ka kërkuar në mënyrë të përsëritur nga KEK-u që të ofrojë një raport të detajuar mbi situatën në termocentralet ‘Kosova A’ dhe ‘Kosova B’, por deri më tani nuk kanë marrë përgjigje.

Po ashtu në këtë njoftim kërkohet se në dy vitet e fundit nuk është realizuar asnjë projekt për uljen e ndotjes së ajrit, duke shtuar se numri i rasteve të sëmundjeve të lidhura me ndotjen është alarmues.

Raportet e vitit 2023 tregojnë se sëmundjet respiratore kanë arritur në 17 mijë e 912 raste, ndërsa ato të qarkullimit të gjakut në 7 mijë e 355 raste.

Po ashtu, çdo vit në Obiliq regjistrohen mesatarisht 50 raste të reja me sëmundje kancerogjene.

Kategoritë
LajmeVendi