Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Ministrit të Financave, Hekuran Murati, mbi rritjen e pagave në Kosovë.
Jasharaj theksoi se ministri nuk ka pse të krenohet për rritjet e pagave, por përkundrazi, duhet të skuqet kur flet për këtë temë të ndjeshme.
“Ministri Murati ka tentuar të krijojë një përshtypje se pagat janë rritur, duke u mbështetur në statistika nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK). Por, siç e dimë të gjithë, rritja prej vetëm 28 eurosh në sektorin arsimor është një shifër ironike dhe nënçmuese për punonjësit,” deklaroi Jasharaj.
Ai shtoi se Ministri e ngriti pa konsultime vlerën e koeficientit të pagave, duke lënë pas dore nevojat reale të punonjësve.
Jasharaj kritikoi ashpër qasjen e Muratit ndaj sindikatave, duke e quajtur atë armiqësore. “Kjo qasje e Ministrit është e papranueshme. Ai duhet të kuptojë se kërkesat legjitime për rritje të pagave janë të arsyeshme dhe reflektojnë realitetin ekonomik që po përjetojnë punonjësit e arsimit,” tha ai.
Duke iu referuar rritjes së vazhdueshme të çmimeve të artikujve esencialë, Jasharaj nënvizoi se situata ekonomike po e rëndon jetën e punonjësve. ”
Rritja e çmimeve është evidente, por rritja e pagave për t’u përballur me këto çmime nuk ka ndodhur. Ministri duhet të lë mënjanë deklaratat plot krekosje dhe të përballet me realitetin e hidhur,” theksoi ai.
Ai gjithashtu e vuri në dukje se vendet përreth Kosovës kanë ndërmarrë masa për të rritur pagat në sektorët e ndryshëm.
“Ministri Murati le të hedhë një sy drejt Shqipërisë dhe Malit të Zi. Atje, mësuesit e arsimit kanë paga mbi 900 euro. Këto janë masa që ndihmojnë punonjësit të përballen me inflacionin,” shtoi Jasharaj.
Në përfundim, ai u shpreh se përkundër duartrokitjeve që mund të marrë nga ata që i besojnë verbërisht, “mijëra punonjës në sektorin publik e dinë të vërtetën dhe janë të mllefosur. Ata mezi po e lidhin fillimin e muajit me fundin e tij, dhe shumë prej tyre janë në kredi.”
“Ministri Murati, kur flet për pagat, nuk ka pse krenohet, por duhet të skuqet,” përfundoi Rrahman Jasharaj, duke apeluar për një dialog më konstruktiv dhe për një zgjidhje të vërtetë për problemet e punonjësve.