Hija e Serbisë dhe ndikimi i Turqisë në Ballkan: Kriza në Mal të Zi

Bayram POMAK

 Natën mes 25 dhe 26 tetorit, një incident i zakonshëm që ndodhi në Mal të Zi tronditi jo vetëm marrëdhëniet Mal i Zi–Turqi, por edhe të gjithë Ballkanin. Ky vend i vogël dhe i qetë ballkanik u bë papritur në qendër të vëmendjes së mediave rajonale dhe botërore.

Mbrëmjen e 25 tetorit, në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricë, tensionet u ndezën pasi një i ri 25-vjeçar u plagos lehtë nga persona me shtetësi turke dhe azere. Megjithatë, më vonë u konstatua se shtetasi turk nuk kishte lidhje me ngjarjen dhe ai u la i lirë.

Kur ngjarja u pasqyrua në mediat lokale si një “incident dhune i shkaktuar nga të huajt”, atë natë dhe tre netët që pasuan u organizuan sulme ndaj turqve, kryesisht në Podgoricë, por edhe në zona të tjera. Automjetet me targa turke dhe bizneset në pronësi të turqve u shënjestruan; disa restorante dhe kafene turke u qëlluan me gurë dhe u dogjën. Disa shtetas turq u detyruan të strehoheshin në hotele ose kazino për siguri.

Protestat e natës së parë u zhvilluan në lagjen ku u plagos i riu; të dytën natë në zonën ku jetojnë shumë shtetas turq; ndërsa të tretën natë para Objektit të Qeverisë së Malit të Zi. Me fishekzjarre, flakadanë dhe slogane provokuese, u përhap urrejtje ndaj turqve. Gjatë këtyre tubimeve u brohoritën slogane si: “Dëboni turqit”, “Kush nuk kërcen është turk”, “Nuk duam migrantë”, “Turku s’do të ecë në qytet”. Shumica e pjesëmarrësve ishin të veshur me rroba të errëta, me maska dhe kapele.

Por, çfarë mund të fshihet pas faktit që një incident kaq i thjeshtë dhe i izoluar mori përmasa kaq të mëdha? Për ta kuptuar këtë, duhet parë debati i zhvilluar në Mal të Zi. Mali i Zi është një vend i vogël me rreth 620 mijë banorë. Megjithatë, vendosja e afro 100 mijë personave të rinj në vitet e fundit e ka ndryshuar dukshëm strukturën demografike. Mes këtyre të ardhurve përbërje të madhe kanë rusët dhe ukrainasit, ndërsa gjatë pesë viteve të fundit edhe turqit janë vendosur në numër të konsiderueshëm në Mal të Zi.

Sipas të dhënave zyrtare, në Mal të Zi jetojnë rreth 13 400 shtetas turq, por në vend është krijuar perceptimi se “jetojnë 100 mijë turq”. Përhapja e këtij perceptimi është nxitur nga disa media pro-ruse dhe pro-serbe, të cilat muajt e fundit kanë promovuar në mënyrë sistematike narrativa të tilla si “Kolonizimi Turk” dhe “Ndikimi Neo-Osman”.

Rreth dy javë para këtyre ngjarjeve, një nga figurat kryesore të opozitës malazeze, Nebojsha Medojeviq, në një deklaratë për Televizionin ADRIA, përdori këto fjalë:

“Nuk po flasim as për një problem serioz që quhet faktori turk. Këtu ka rreth 100 mijë shtetas turq dhe mbi 6 mijë kompani turke po zhvillojnë projekte serioze në vend. ‘A ka shteti ndonjë kontroll mbi ta?’ Asnjë kontroll. As Agjencia e Sigurisë Kombëtare nuk i monitoron. Logjikisht, nëse dëshiron të zbatosh një politikë migrimi dhe t’i lejosh njerëzit të vendosen në vendin tënd, duhet së pari të bësh një vlerësim sigurie.

Kjo është një projekt i madh, një fuqi e madhe. Kanë ardhur 100 mijë njerëz; shumica janë familje të reja me fëmijë. Ata nuk kanë ardhur të strehohen si rusët apo ukrainasit, kanë ardhur të jetojnë këtu. Ky është një projekt i rëndë shtetëror, neo-osmanizimi i hapësirës ballkanike. Ata tashmë kanë një ndikim serioz këtu; Partia Boshnjake po sillet de facto si një instrument i interesave të Turqisë. Dua të theksoj vetëm këtë: Ne jemi kthyer në zonë ndikimi të një fuqie të madhe. Kjo situatë rrezikon interesat ekonomike dhe të sigurisë të vendit tonë.”

Këto deklarata të Medojeviqit përfaqësonin në fakt përmbledhjen e qasjes që një pjesë e shoqërisë malazeze ka ndaj turqve. Ato gjithashtu ndezën më tej debatin tashmë në rritje mbi “ndikimin turk” në vend.

Në një klimë ku këto debate vazhdonin, incidenti mes një malazezi dhe personave me shtetësi turke e azere natën e 25 tetorit u kthye brenda pak kohësh në një lëvizje të organizuar dhune. Vëmendjen e tërhoqën grupet që marshonin me pankarta të përgatitura paraprakisht, ndërsa njëkohësisht disa media publikuan lajme me tituj si “Rreziku turk’’ dhe “Bandat e të huajve”, duke e tensionuar situatën edhe më shumë.

Menjëherë pas ngjarjeve, kryeministri Milojko Spajiq fillimisht njoftoi se lëvizja pa viza me Turqinë mund të hiqej, e më pas ky vendim hyri zyrtarisht në fuqi.

Duke analizuar profilin e atyre që morën pjesë në aktet e dhunës kundër turqve, vërehet se në vijën e parë qëndronin drejtues të Partisë së Re të Demokracisë Serbe, Goran Miliq dhe Zoran Ushçumliq. Lideri i kësaj partie – dhe njëkohësisht kryetar i Parlamentit të Malit të Zi – Andrija Mandiq, është i njohur si politikan që kundërshton sanksionet ndaj Rusisë, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe është kundër anëtarësimit në NATO.

Mes pjesëmarrësve ishin edhe anëtarë të shoqatës “Ushtria Mbretërore Serbe në Atdhe’’ (Kraljevska Srpska Vojska u Otadžbini). Kryetari i saj, Predrag Lazareviq, në profilin e tij në Facebook poston rregullisht video të Putinit, simbole çetnike dhe përmbajtje që lidhen me luftërat e ish-Jugosllavisë. Prania e aktivistëve të tillë ultra-nacionalistë i ka ndezur edhe një herë debatet për rritjen e gjuhës së urrejtjes etnike, racore dhe fetare në Mal të Zi.

Duke parë të gjitha këto profile dhe debatet që zhvillohen në median malazeze, bëhet e qartë se incidenti i izoluar ishte vetëm pretekst. Publikimet dhe deklaratat e bëra para ngjarjes tregojnë se zhvillimet kanë qenë të parapërgatitura dhe të organizuara. Në opinion po thuhet hapur se brenda Malit të Zi ekzistojnë struktura të afërta me Serbinë dhe se ky proces është planifikuar pikërisht prej tyre.

Edhe pse presidenti i Serbisë e ka mohuar këtë dhe e ka quajtur “teori konspirative”, pjesëmarrja aktive e mediave pranë tij dhe e grupeve pro-serbe në këto ngjarje vetëm sa i forcon këto dyshime.

Debatet mbi “ndryshimet demografike” të shpërthyera në Mal të Zi kishin në shënjestër drejtpërdrejt turqit. Edhe pse dihej se numri real ishte 13 400, publikut iu shfaq një perceptim i ekzagjeruar sikur në vend jetonin 100 mijë turq; fakti që qeveria malazeze nuk e korrigjoi këtë keqinformim në kohë tregon se zhvillimet janë drejtuar në mënyrë të organizuar.

Po ashtu, fakti që sapo u përhap lajmi për incidentin – pa u sqaruar ende çfarë kishte ndodhur – qeveria malazeze vendosi menjëherë regjimin e vizave për Turqinë, jep të kuptohet shumë për sfondin e çështjes. Nuk ka shpjegim tjetër për mënyrën se si një ngjarje individuale dhe e zakonshme u shndërrua brenda orësh në një krizë që tronditi marrëdhëniet mes dy vendeve.

Sulmet ndaj shtetasve turq mund të vlerësohen si në kuadrin e zhvillimeve të brendshme politike në Mal të Zi, ashtu edhe në kontekstin rajonal. Me këto ngjarje u dha mesazhi se ndikimi serb brenda Malit të Zi është i fuqishëm dhe se këto struktura kanë kapacitet të mobilizojnë rrugët sa herë të jetë nevoja. Njëkohësisht, në dritën e shitjes së dronëve dhe pajisjeve të tjera ushtarake nga Turqia për Kosovën, duket se është synuar edhe një mesazh i tërthortë ndaj Ankarasë.

Të gjitha këto zhvillime tregojnë se ajo që ndodhi në Mal të Zi nuk ishte thjesht një çështje rendi publik, por pjesë e një fushate të organizuar të nxitur nga debate të akumuluara politike, demografike dhe gjeopolitike.

Sulmet ndaj shtetasve turq treguan qartë se si retorikat e kohëve të fundit rreth “ndikimit turk”, “neo-osmanizmit” dhe “kërcënimit demografik” mund të shndërrohen në dhunë në terren.

Duke parë ritmin e përhapjes së ngjarjeve, narrativat e përdorura, profilin e grupeve pjesëmarrëse dhe vendime të menjëhershme si ai për vizat, kuptohet se grupet pro-serbe brenda politikës malazeze janë përpjekur të japin një mesazh si për luftën e brendshme për pushtet, ashtu edhe për rritjen e pranisë së Turqisë në rajon.

Tensioni në Mal të Zi ka treguar edhe një herë sa lehtë mund të manipulohen ekuilibrat e brishtë ballkanikë dhe se si rivalitetet rajonale mund të kthejnë menjëherë komunitetet në objektiva.

 

 

 


Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Kategoritë
OPINIONEOpinione - Ballina