Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kritikuar edhe sot pushtetit aktual, duke thënë se si kusht për dialog me Serbinë e ka vendosur ekstradimin e Millan Radojçiqit drejtësisë së Kosovës, kurse në anën tjetër thonë se drejtësia në Kosovë nuk është e pavarur, shkruan Reporteri.net.
Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se si “nëse e bindin botën se drejtësia nuk është e pavarur, si mendojnë se dikush do t’ua ekstradojë Radojçiqin?”.
Qysh ta kuptojmë logjikën e këtij pushteti? Ka vendosur kusht të dialogut ekstradimin e Radojçiqit drejtësisë së Kosovës, e në të njëjtën kohë prej Kryeministrit, te Ministrja e Drejtësisë e tek deputetët e VV-së, krejt çka dëgjojmë është se drejtësia e Kosovës nuk është e pavarur.
Dëgjojmë nga ata se opozita e kontrollon Prokurorinë, se gjyqtarët dhe prokurorët janë të kapur dhe vendimet e drejtësisë në vazhdimësi janë subjekt i interpretimeve politike të pushtetit”.
“Nëse e bindin botën se drejtësia nuk është e pavarur, si mendojnë se dikush do t’ua ekstradojë Radojçiqin?
Apo e kanë këtë kërkesë vetëm për konsum të brendshëm elektoral? Para dite thotë Kurti se Kosova është vendi më demokratik në rajon, e pasdite ai dhe njerëzit e tij e sulmojnë pavarësinë e drejtësisë dhe bëjnë përpjekje të hapur për ndërhyrje te gjyqësori. Kjo lidhje me shtet demokratik nuk ka. Përnjëmend, pushtet i çuditshëm!