Gjukanoviq sonte në Kosovë, policia njofton se disa rrugë do të bllokohen, por s’tregon cilat

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq do të vizitojë sonte Kosovën, ndërsa policia e Kosovës ka njoftuar se do të ketë ndërprerje të përkohshme të disa segmenteve rrugore.

Policia e Kosovës ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët, për ndalimin e qarkullimit në disa rrugë të ndryshme.

Ky është njoftimi i plotë:

Gjatë vizitës së Presidentit të Malit të Zi në Kosovë, do të ketë ndërprerje të përkohshme të disa segmenteve rrugore

Prishtinë, 24 tetor 2022

Sonte, me datën 24 tetor 2022, në orët e mbrëmjes, Republikën e Kosovës pritet ta vizitoj Presidenti i Republikës së Malit të Zi, Sh. T. z. Milo Gjukanoviq, së bashku me një delegacion shoqërues.

Policia e Kosovës, gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit dhe qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në Kosovë.

Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore), të disa segmenteve rrugore, ku pritet të kalojë eskorta, si dhe në lokacione të caktuara ku parashihen të realizohen aktivitete.

Njëkohësisht për të mundësuar qarkullimin dhe riorientimin e trafikut në rrugë alternative në lokacionet ku pritet të kalojë eskorta do të angazhohen zyrtarë policorë të njësiteve relevante, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga qytetarët dhe pjesëmarrësit tjerë në trafik.

Kategoritë
LajmeVendi