Gjermani – Zjarri që ra 30 vjet më parë në familjen turke përcaktohet si “zjarrvënie” nga racistët

Një zjarr në shtëpinë e një familje turke në qytetin Kempten të landit të Bavarisë në Gjermani, që ndodhi 30 vjet më parë, është identifikuar si zjarrvënie nga racistët.

Sipas gazetave “Zeit Online” dhe “Tagesspiegel”, një prokuror që hetoi dosjet në lidhje me zjarrin që ra më 17 nëntor 1990, gjeti një letër rrëfimi të shkruar nga neonazistët racist që tregonte se incidenti ishte një zjarrvënie.

Letra, e cila përmbante një svastikë, thoshte se “ky sulm i suksesshëm është vetëm fillimi, se nuk do të pushohet derisa Kempten të pastrohet nga të gjitha krijesat jogjermane”.

Në letër gjithashtu shkruhej se “Kempten do të jetë qyteti i parë që nuk shqetësohet nga derra homoseksualë, të majtë, të huaj dhe të tjerë”.

Pas kësaj Prokuroria e Munihut përsëri hapi çështjen dhe filloi një hetim.

Si pjesë e hetimit u përcaktua që letra, e cila përfshinte rrëfimet e racistëve, ishte injoruar nga policia.

Hetimi, i nisur pas zjarrit, u mbyll një vit e gjysmë pas incidentit dhe u regjistrua si një “zjarr i paspecifikuar”.

Në zjarrin në fjalë humbi jetën një djalë 5-vjeçar dhe u lënduan dy vëllezër të tij.

Policia dhe zyra e prokurorit nuk informuan familjen turke gjatë hetimit të nisur pas incidentit.

Kategoritë
BotaLajme