Frikë dhe panik në avion, hapet dera gjatë fluturimit, piloti bën ulje të detyruar

Një eksperiencë të tmerrshme patën 25 pasagjerë të një avioni An-26, në një fluturim të brendshëm në rajonin siberian të Rusisë, kur dera e pasme u hap pak pas ngritjes.

Natyrisht, bagazhet dhe sendet e pasagjerëve të avionit fluturuan në zbrazëti ndërsa kabina ishte nën presion, sipas Daily Mail.

Një video e publikuar tregon hapjen e derës së pasme të avionit IrAero, një Antonov, i cili ishte nisur nga Magan në rajonin Yakutsk të Siberisë lindore në temperatura -41 gradë Celsius.

Pasagjeri që ka xhiruar videon është në një nga sediljet e pasme të avionit, i nisur për në Magadan, në bregun e Paqësorit të Rusisë.

Dera, e përdorur për ngarkimin e bagazheve, zakonisht është e izoluar nga pasagjerët në pjesën e pasme të avionit.

Piloti bëri një ulje emergjente në Magan dhe të gjithë në bord ishin “të sigurt” pavarësisht të ftohtit të fortë në kabinë gjatë incidentit.

Njeriu që filmon makthin mund të dëgjohet duke mallkuar i tronditur.

Për ngjarjen në fjalë po zhvillohet një hetim.

Kategoritë
BotaLajme