Franca, Gjermania dhe Britania të shqetësuar për prodhimin e metalit të uraniumit nga Irani

“Ne i bëjmë thirrje Iranit të ndërpresë menjëherë këto aktivitete dhe të largohet nga shkelja e mëtejme e angazhimeve të tij bërthamore”, thuhet më deklaratën e përbashkët

Franca, Gjermania dhe Britania njoftuan se janë të shqetësuar për prodhimin e metalit të uraniumit nga Irani, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministria e Jashtme e Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në një deklaratë të përbashkët thanë se “qeveria e Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar janë të shqetësuar për faktin se Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) konfirmoi se Irani është duke prodhuar metal uraniumi në kundërshtim me Planin e Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPoA)”.

Në deklaratë thuhet se “sipas marrëveshjes, Irani nuk do të prodhojë metal uranium për 15 vjet dhe nuk do të kryejë kërkime dhe zhvillime të metalurgjisë së uraniumit”, duke shtuar se këto aktivitete janë një hap i rëndësishëm në zhvillimin e armëve bërthamore dhe nuk kanë asnjë justifikim të vlefshëm civil.

“Ne i bëjmë thirrje Iranit të ndërpresë menjëherë këto aktivitete dhe të largohet nga shkelja e mëtejme e angazhimeve të tij bërthamore. Irani duke përshpejtuar shkeljet e tij po vë në rrezik mundësitë e diplomacisë që do të lejojnë objektivat e JCPoA të realizohen plotësisht “, thuhet më deklaratë.

Irani më herët njoftoi se do të fillojë punën për prodhimin e metaleve të uraniumit

Pasi ish-presidenti amerikan Donald Trump erdhi në detyrë, Washingtoni më 8 maj 2018 u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja JCPoA dhe filloi të vendosë përsëri sanksione mbi Iranin.

Teherani më 5 janar 2020 gjithashtu ndërpreu plotësisht angazhimet e tij ndaj marrëveshjes si përgjigje ndaj sanksioneve amerikane duke ndërmarrë disa hapa, ku përfshihet edhe pasurimi i uraniumit në nivel të lartë.

Ndërkaq, pas vrasjes së shkencëtarit Mohsen Fakhrizadeh, Irani pavarësisht kundërshtimeve të qeverisë më 5 janar njoftoi se pasuroi uranium me 20 për qind sipas ligjit bërthamor të miratuar nga parlamenti iranian më 1 dhjetor 2020 dhe filloi punën për prodhimin e metalit të uraniumit më 13 janar, i cili përdoret gjithashtu në prodhimin e armëve bërthamore.

Kategoritë
BotaLajme