Në lidhje me takimin me Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, Rama theksoi se “Diskutuam saktësisht lidhur me nevojën për të ruajtur paqen në Ballkanin Perëndimor
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kanë marrë pjesë në Forumin e Diplomacisë në Antalya, duke folur në panelin e liderëve ku u diskutua për temën “Rrugët rajonale dhe globale drejt paqes dhe prosperitetit”, raporton Anadolu Agency(AA).
Kryeministri Rama ka theksuar se Ballkani Perëndimor është një pjesë e prekshme e të gjithë organizmit të Evropës sepse sipas tij është një kombinim midis vendesh të NATO-s, vendesh jo anëtare të NATO-s, midis vendesh me histori të ndryshme, lidhur me aleancat e tyre.
Në lidhje me takimin me Presidentin e Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, Rama theksoi se “Diskutuam saktësisht lidhur me nevojën për të ruajtur paqen në Ballkanin Perëndimor. Nevojën për të punuar ngushtë midis nesh në Ballkanin Perëndimor dhe nevojën për të bërë gjithçka mundemi për të mos lejuar që çfarëdolloj ndikimi apo çfarëdolloj ideje që mund të prekë përmes çdo lloj veprimi Ballkanin Perëndimor të mos gjejë hapësirë.”
Duke folur për situatën në Ukrainë, Rama tha se nuk ka asnjë dyshim që ajo çfarë ka ndodhur me invazionin e Ukrainës nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën.
“Qëndresa e ukrainasve është më shumë se sa qëndresë për vendin e tyre, por është qëndresë për ato vlera dhe mënyrë jetese që është edhe e jona”, u shpreh Rama.
Kryeministri Rama ka shtuar se e ardhmja e Shqipërisë është në Evropë.
“Paqja dhe prosperiteti janë të lidhura ngushtë dhe parakushte për një shoqëri progresive e të zhvilluar”
Sipas njoftimit nga Presidenca e Kosovës, Presidentja Osmani, në fjalën e saj ka theksuar se paqja dhe prosperiteti janë të lidhura ngushtë dhe parakushte për një shoqëri progresive e të zhvilluar.
“Një mjedis paqësor dhe i begatë është çelës për çdo shoqëri, sepse ndikon në të gjitha aspektet e zhvillimit shoqëror të një vendi. Vendosja e bashkëpunimit rajonal dhe global do ta mundësojë paqen dhe stabilitetin, i cili favorizon zhvillimin ekonomik, prosperitetin dhe përparimin”, është shprehur Osmani.
Ajo ka theksuar se rajoni i Ballkanit Perëndimor domosdoshmërisht duhet t`i bashkohet strukturave euroatlantike dhe ka shuar se e “vetmja mundësi për ta ruajtur paqen është komunikimi i qartë dhe i drejtpërdrejt, megjithëse sipas saj, paqja është gjithnjë e kërcënuar.”
Ndryshe, siç u shpreh ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, mbi një e treta e botës po përfaqësohet në Forumin e Diplomacisë në Antalya, duke shtuar se ky event ka mbledhur pjesëmarrës nga 75 vende, duke përfshirë 17 krerë shtetesh, 80 ministra dhe 39 përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.

















