“Një vit pas një përleshjeje të armatosur që tronditi Kosovën, kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar për kërcënime të vazhdueshme ndaj stabilitetit në rajon”, nis artikulli i shkruar nga “Financial Times” në njëvjetorin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, përcjell Gazeta Online Reporteri.net.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për mediumin ka folur në njëvjetorin e sulmit, duke thënë se pas asaj që ndodhi, sasia e informacioneve është e madhe për aktivitete të paligjshme në veri.
“Që nga sulmi terrorist në Banjskë një vit më parë nga ky grup paraushtarak i udhëhequr nga famëkeqi Milan Radoiçiq, sasia e informacionit që po marrim për aktivitete të paligjshme është e madhe”, tha Kurti.
Ai shtoi se aktivitetet e “elementëve të ndryshëm kriminalë” dhe grupeve serbe ishin rritur gjatë vitit të kaluar, krahasuar me vitet e mëparshme.
Në artikull thuhet se dhuna shpërtheu më 24 shtator të vitit të kaluar, kur një kolonë e paraushtarakëve të armatosur rëndë hyri në Kosovë dhe u strehua në një manastir serb në fshatin Banjskë, me stoqe të armëve të rënda. Policia e Kosovës qëlloi tre nga kryengritësit — dhe humbi një oficer — përpara se sulmuesit të iknin në Serbi.
Radoiçiq, një ish-bandit dhe politikan nga Kosova veriore me shumicë serbe, më vonë pranoi se kishte udhëhequr sulmin, por mbetet i lirë në Serbi.
FT thotë se Kosova, nga ana tjetër, ka intensifikuar përpjekjet për të çrrënjosur ndikimin serb në territorin e saj pavarësisht një presioni në rritje nga perëndimi për t’iu përmbajtur një marrëveshjeje të mëparshme kompromisi me Beogradin.
Masat përfshijnë heqjen graduale të targave të automjeteve të lëshuara nga serbët dhe ID-ve personale, goditjen e kontrabandës ndërmjet fqinjëve dhe ndalimin e dinarit serb që përdoret zakonisht në zonat serbe në vend të euros.
Kurti tha se “është bërë e paligjshme mosveprimi” ndaj ndikimit serb. “Ne duam një shtet ligjor që të mos rrezikojë paqen dhe sigurinë.”
Ai shtoi se masat e qeverisë së tij kanë qenë “plotësisht në anën e duhur”, edhe pse serbët kanë mohuar çdo aktivitet keqdashës.
Një vit pas Banjskës, një marrëveshje kompromisi duket shumë e largët.
/Reporteri.net/