Erdogan: Ne po ndërtojmë Turqinë e madhe dhe të fuqishme që do të qarkojë shekullin XXI dhe përtej

Presidenti i Republikës dhe njëherësh kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), Recep Tayyip Erdogan, deklaroi të mërkurën se po ndërtojnë Turqinë e madhe dhe të fuqishme që do të qarkojë shekullin XXI dhe përtej.

Ky vlerësim i kreut të shtetit turk erdhi gjatë Kongresit 7. të Madh të Zakonshëm të AK Partisë në kryeqytetin Ankara të vendit, ku ai vuri në pah se me Aleancën Popullore (të formuar nga AK Parti dhe Partia e Lëvizjes Nacionaliste – MHP), Turqinë do ta çojnë fillimisht në synimet e vitin 2023 (që shënon 100-vjetorin e themelimit të republikës) dhe më pas në vizionin e vitit 2053.

“Ata që prej 2 shekujsh e përjashtojnë Turqinë nga ndryshimet rrënjësore, duke e bërë atë dhe kombin turk të preokupohet vazhdimisht me problemet e brendshme, janë duke inskenuar përsëri të njëjtën lojë. Por këtë herë nuk do t’ia arrijnë dot, nuk do të kenë sukses. Sepse këtë herë është një Turqi ndryshe, një Turqi e bërë një grusht e një komb me të 84 milionë qytetarët e saj. Këtë herë është një Turqi që nuk mjaftohet duke u dalë për zot vetëm atyre që posedon, por edhe që paraqitet e vendosur për të zënë vendin e merituar në rendin e ri politik dhe ekonomik global përmes objektivave të vitit 2023, vizionit të vitit 2053 dhe idealit të vitit 2071. Kjo është një Turqi që shemb e shkel me këmbë çdo kurth të ngritur gjatë 8 viteve të fundit. Ne s’arritën të na kthejnë nga rruga jonë me imponime të reja çdo ditë as ata, të cilët – po të kishin mundësinë – s’do t’i jepnin vendit tonë as edhe një gotë ujë në kohë me shi. E përsëri nuk të kthejnë dot”, u shpreh presidenti turk.

Erdogani tërhoqi vëmendjen se po ndërtojnë Turqinë e madhe dhe të fuqishme, e cila do të qarkojë shekullin XXI dhe përtej duke i shndërruar objektivat e vitit 2023 në një fillim të ri, ndërsa shpjegoi se AK Partia e ka zhvilluar Turqinë me investime në çdo fushë, nga arsimi dhe shëndetësia e deri tek industria dhe sporti.

Ai u ndal më tej mbi luftën e Turqisë kundër terrorizmit, pa bërë asnjë dallim mes organizatave dhe grupeve terroriste.

“Ne i shpartalluam të gjitha organizatat terroriste, përfshi këtu edhe PKK-në, duke i paaftësuar ato për të kryer veprime brenda kufijve të vendit”, potencoi lideri turk.

Pasi bëri me dije se e kanë rinovuar dhe zhvilluar më tej infrastrukturën e vendit duke investuar 932 miliardë lira turke në transport, Erdogani tha se pavarësisht ngadalësisë aktuale për shkak të pandemisë së koronavirusit, Turqia do të renditet mes vendeve të para në botë për infrastrukturën më të madhe të transportit ajror në të ardhmen.

“Luhatjet e ditëve të fundit në tregje nuk reflektojnë kurrsesi potencialin, dinamikat e vërteta dhe themelet e ekonomisë së Turqisë. Ne do të arrijmë nivele shumë më të mira duke e rritur ekonominë turke në bazë të investimit, prodhimit, punësimit dhe eksportit. Unë u bëj thirrje investitorëve ndërkombëtarë që investojnë në vendin tonë, që t’i besojnë fuqisë dhe potencialit të Turqisë”, nënvizoi Presidenti Erdogan mes të tjerash.

Kategoritë
BotaLajme