Edukimi medial, i nevojshëm për arsimin parauniversitar

Platforma për kontroll të fakteve, hibrid.info ka publikuar raportin për edukim medial me titull: “Edukimi për të vërtetën: Gjendja e edukimit medial dhe sfidat e përfshirjes në kurrikula mësimore”.

Qëllimi i këtij raporti është analizimi i gjendjes aktuale sa i përket edukimit medial në Kosovë, veçanërisht në kuadër të arsimit parauniversitar, në shkollat fillore dhe të mesme.

Ky raport përbëhet nga dy pjesë, duke përfshirë rishikimin e literaturës ndërkombëtare dhe evropiane mbi edukimin medial, si dhe intervista me aktorë të ndryshëm në Kosovë. Për analizimin e situatës në Kosovë, janë realizuar dhjetë intervista me zyrtarë të MAShTI-t, mësimdhënës, gazetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile, si dhe janë shqyrtuar materiale të publikuara nga mediat dhe strategji të Ministrisë së Arsimit.

Gjetjet nga raporti tregojnë se deri më tash kanë munguar nisma konkrete nga niveli institucional për ta trajtuar edukimin medial si nevojë urgjente dhe me prioritet në sistemin arsimor. Me kurrikulën dhe plan-programet aktuale mësimore, edukimi medial trajtohet vetëm si një çështje ndërkurrikulare në arsimin paraunivesitar në Kosovë.

Festim Rizanaj, hulumtues në “hibrid.info”, gjatë prezantimit të raportit në një konferencë të mbajtur të martën, ka bërë të ditur se arsye e përpilimit të raportit, përfshirë këtu rezultatet e testit PISA për vitin 2022 që i ka nxjerrë nxënësit kosovarë (të moshës 15-vjeç) pothuajse të pa aftë të bëjnë dallimin ndërmjet faktit dhe opinionit. Veç kësaj, edhe Indeksi Evropian për Edukim Medial (2023) e ka renditur Kosovën të parafundit lidhur me këtë çështje.

Në konferencë u theksua se institucionet e Kosovës nuk e kuptojnë saktë edukimin medial, duke e trajtuar si edukim teknologjik, çka shkakton që fëmijët të mbeten të papërgatitur për konsumimin kritik të mediave.

Faton Ismajli, profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, thekson një problem thelbësor në qasjen e institucioneve të Kosovës ndaj edukimit medial, duke sugjeruar se ka një keqkuptim të konceptit. “Institucionet e Kosovës nuk kanë arritë ta kuptojnë se çka është edukimi medial, në fakt e kanë keqkuptuar edhe me konceptin e BE-së, që deri diku edukimin medial e shohin si edukim teknologjik. Edukimi medial është më shumë se edukim teknologjik, më shumë se aftësi me e përdor median. Është më shumë me i zbërthy, me i dekonstruktu dhe shërben për krijimin e një mendimi kritik për përmbajtje të caktuara mediale”, tha ai.

Egzon Gashi, nga organizata që merret me cilësinë e arsimit, “Teach for Kosova”, shpreh shqetësimin se mungesa e edukimit medial në shkolla lë fëmijët të papërgatitur për të konsumuar mediat në mënyrë kritike, ndërsa ata kalojnë shumicën e kohës në mediat sociale. “Fëmijët e vitit 2024 në Kosovë, mund të paramendohet që shumicën e ditës e kalojnë në media sociale ose në telefon, duke konsumuar media, përfshi gjithë shoqërinë. Nëse shumicën e kohës e kalojnë në atë mënyrë dhe nuk e kanë asnjë lëndë në shkollë që i edukon se si të konsumohen mediat, se si ta dallojnë faktin prej opinionit, se çka duhet bëjnë fëmijët me media gjatë kohës së përdorimit, atëherë është shqetësuese”, deklaroi ai.

Panelistët theksuan se trajtimi i edukimit medial në arsimin parauniversitar vetëm si temë ndërkurrikulare ose si lëndë zgjedhore në disa shkolla është i pamjaftueshëm.

Profesori Ismajli thekson se edukimi medial si lëndë zgjedhore dhe përfshirja e tij në disa lëndë tregon joseriozitet, për shkak të, siç tha ai, mungesës së mësuesve të specializuar dhe trajnimit të cekët. “Nuk mjafton që lënda e edukimit medial të jetë zgjedhore, për shkak se duke e ditur faktin se si zgjidhen lëndët, i përshtaten profileve të ndryshme. Në sistemin arsimor nuk ka shumë mësues që kanë njohuri të thelluar për media dhe edukimin medial. Përfshirja e edukimi medial në plot lëndë, tregon joseriozitetin si shtet, si shoqëri, si MAShTI, sepse kur vendos një lëndë të diskutohet në të gjitha lëndët, i bie që asgjë nuk ka për t’u mësuar aty”, vlerësoi ai.

Ndërkaq, Gashi nga “Teach for Kosova” thekson se edukimi medial duhet të përfshihet si lëndë obligative, përveç përfshirjes në lëndët ndërkurrikulare.

“Kur flasim për lëndë ndërkurrikulare, kjo është mënyra më e mirë e funksionimit të një shkolle. P.sh, nëse e kemi klasën e biologjisë dhe fëmijët mësojnë për Covid-19, është mundësi shumë e mirë me e përfshi edukimin medial në atë bisedë, për shkak se kemi pasur shumë lajme të rreme për Covid-19, dhe për vaksinat kundër tij. Por, a është e vetmja formë e përfshirjes së edukimit medial? Jo! Duhet të përfshihet si lëndë obligative”, deklaroi Gashi.

Sipas raportit, viteve të fundit vërehen disa lëvizje pozitive nga ana e institucioneve shkollore dhe mësimdhënësve në arsimin parauniversitar për ta përfshirë edukimin medial si mësim/lëndë me zgjedhje (lëndë zgjedhore) nëpër shkolla.

Një nga sfidat kryesore në promovimin e edukimit medial është mungesa e vullnetit institucional për ta trajtuar këtë çështje në mënyrë serioze dhe të thelluar, me qëllim nxitjen e mendimit kritik tek nxënësit. Për më tepër, përfshirja e edukimit medial kërkon trajnim dhe aftësim sistematik të mësimdhënësve të rinj. Një tjetër problem qëndron në mungesën e teksteve mësimore të standardizuara për shkollat fillore dhe të mesme, duke detyruar mësimdhënësit të përgatisin vetë materialet për nxënësit e tyre.

Në raport, rekomandohet që MAShTI të trajtojë me prioritet dhe urgjencë edukimin medial në shkollat fillore dhe të mesme, duke hartuar një kurrikulë të veçantë për këtë fushë. Po ashtu, është e nevojshme të angazhohen ekspertë për krijimin e teksteve shkollore për nxënësit dhe mësimdhënësit. MAShTI duhet të kërkojë angazhim maksimal nga Departamenti i Gazetarisë dhe Fakulteti i Edukimit si dhe me sektorin joqeveritar (OJQ, media, ekspertë etj.), të përkrahë zgjerimin e mësimit me zgjedhje për edukimin medial si lëndë zgjedhore. Një aspekt tjetër i rëndësishëm është përfshirja aktive e MAShTI-t në trajnimin e mësimdhënësve për këtë lëndë.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi