Edhe Akil Gjakova bëhet kampion i Evropës

Akil Gjakova i vuri vetes kurorën e mbretit të Evropës.

Ai bëri waza-arin më të rëndësishëm në karrierë në finale të Kampionatit Evropian, që po zhvillohet në Portugali, kur mposhti kundërshtarin nga Izraeli, Tohar Butbul.

25 vjeçari u shpall kampion Evrope në xhudo për kategorinë deri në 73 kg që konsiderohet ndër kategoritë më të forta në këtë sport.

Pesë përballje i fitoi ditën e shtunë Gjakova. Raundin e parë e kaloi i lirë, në raundin e dytë mposhti izraelitin Levin, në të tretin gjermanin Zingg, në çerekfinale rusin Mogushkov dhe në gjysmëfinale zviceranin Stump.

Të gjithë këta emra i mposhti me pikët maksimale, pra me Ippon.

Për pejanin me mbiemrin Gjakova ky është titulli i parë kampion Evrope për senior, kurse edhe më 2018-të pati fituar të artën, por për gjeneratën U23.

Ky është suksesi më i madh në karrierën e xhudistit që do të jetë gjatë verës në Olimpiadën e Tokios.

Kosova në krye me mjeshtrin Driton Kuka ka udhëtuar në Evropianin e Portugalsë me gjashtë përfaqësues.

Distria Krasniqi, një ditë para Akil Gjakovës, u shpall kampione e Evropës, kurse motra e Akilit, Nora, doli e treta e Evropës për kategorinë e saj.

Flaka Loxha dhe Laura Fazliu nuk fituan medalje, ndërsa Loriana Kuka përballet të dielën.

Kategoritë
Sport