Ederllezi, Karabashi, Shën Gjergji apo Gjurgjev Dan, pse festohen dhe festat e kujt janë?

Nga Denis Galushi

Gëzimin, ankesat dhe kërkesat, romët gjithnjë i kanë adresuar përmes artit. Ashtu siç e treguan vuajtjen dhe tragjedinë e tyre nga nazistët përmes himnit ‘’Gjellem, Gjellem’’, ashtu edhe gëzimin e shprehen përmes këngës shumë të kënduar, ‘’Ederllezi’’!

Por, në realitet, çfarë simbolizon ederllezi?

Jo rastësisht rrota në flamurin rom simbolizon migrimin e tyre, e ngjyrat gjelbër – barin dhe e kaltër – qiellin. Pra, tokën që e duan shumë dhe qiellin e hapur për të jetuar duke mos u kufizuar!

Marrë parasysh që shumica e romëve ishin nomad, ky është njëri nga faktet pse ata e urrejnë më së shumti dimrin. Sepse, dimri ua prishte planet e jetesës në natyrë. Por, natyrisht jo gjithë romët, por disa fise prej tyre jetuan/jetojnë në këtë mënyrë.

Prandaj, edhe i gëzohen shumë ardhjes së pranverës, ose ‘’ederllezit’’. Pra, ederllezi do të thotë zgjimi i pranverës, e dalja nga dimri.

Por, a thua veç romët e duan pranverën?

Normal që jo.

A është festë e romëve ederllezi, a po…?

Jo.

Nuk është festë e romëve.

Por, është kënga e romëve, “ederllezi”, që lënë të kuptohet që kënga i dha kuptim festës apo ardhjes së pranverës.

Shumë nga ju e këndoni këtë këngë, por në realitet çfarë do thotë kënga;
romisht:

Sa me amala oro khelena
Oro khelena, dive kerena
Sa o Roma daje
Sa o Roma babo babo
Sa o Roma o daje
Sa o Roma babo babo
Ederlezi, Ederlezi
Sa o Roma daje
Sa o Roma babo, e bakren chinen
A me, chorro, dural beshava
Romano dive, amaro dive
Amaro dive, Ederlezi

Nëse me lejohet, dua të interpretoj tekstin nga pikëpamja ime.

Vargjet e para flasin për;

Të gjithë shokët e mi, vallëzojnë
Vallëzojnë, ditën e tyre kremtojnë.
Të gjithë ROMËT-NJERËZIT, babë
Të gjithë ROMËT-NJERËZIT, nënë, 2x
Ederllerzi, Ederllezi
Të gjithë njerëzit, nënë
Të gjithë njerëzit therrin qengjat e tyre
E unë nga larg shikoj
Të gjithë njerëzit, babë,
Të gjithë njerëzit, nënë 2x
Dua të ndalem këtu.

Ju lutem, kushtoni vëmendje strofës së dytë ku thotë;
të gjithë romët (njerëzit) therin qengjat e tyre, e unë nga larg shikoj!

Pra, këtu nuk e ka fjalën për romët si grup etnik, por si emër: roma-njeri, roma-njerëz.

Pra, të gjithë njerëzit qengjat e tyre therin, e unë nga larg shikoj… Shikon, sepse nuk mund t’iu bashkohet, është i varfër.

Përderisa njerëzit gëzohen që u ndanë faqebardhë nga dimri, tash është rralla për të prerë kurban (qengj, dele, dash), e për të festuar, apo ndoshta n’këtë mënyrë falënderuar Zotin, por romët nga kushtet e vështira që kaluan, veç shikojnë, ashtu siç thotë kënga; a me duryal beshava – unë nga larg shikoj (unë qëndroj larg tyre), sepse nuk kam para për të festuar me ata, edhe pse shpirtnisht jam shumë më i pasur se ata!

Ederllezi, Shën Gjergji apo Sveti Gjorgje?

Logjikisht, nëse njeriu i gëzohet ardhjes së pranverës, atëherë e falënderon atë që e solli atë, pra Zotin e Gjithësisë. Por, kështu zakonisht nuk ndodhte më herët. Sepse, njerëzit besonin në shumë zotra, apo politeizëm, dhe jo monoteizëm.

Prandaj, ata besonin në shumë zotra. I konsideronin gjethet si zotra, ujin, flakën, ushqimin… E, për këtë arsye edhe laheshin me gjethe, lula e vezë, duke konsideruar që do t’i marrin vetit e tyre. Pra, i shëndosh si vezë, e i/e bukur si lule, sipas mendimit paganë, e që sot shumica e popullit të ballkanit e kanë trashëguar, pa asnjë përjashtim!

Nga ana e tjetër, nëse e shikojmë emrin Shën Gjergj apo serbisht Sveti Djordje-Gjorgje, atëherë kjo është më shumë festë e besimit ortodoksë, ndoshta edhe krishterë, por ndoshta edhe është festë kombëtare/fetare, nëse lidhet më lindjen e heroit kombëtar shqiptar me gjashtë maj, e për dikë hero fetar, Gjergj Kastriot Skënderbeut, ashtu siç pretendohet së fundi.

E çka me ‘’Karabashin’’?

Dita e pesë majit, apo dita e Shën Gjergjit, Gjurdjevdanit apo Ederlezit/Hiderlezit, ndryshe në Prizren e quajnë, “Karabash”, dhe festohet sot, më 5 maj.

‘’Karabash’’, rrjedh nga gjuha turke që do të thotë ‘’kryezi’’, edhepse këtë kurrë nuk e kam kuptuar së çfarë kuptimi ka.

Në këtë ditë, sheshet e Prizrenit janë/ishin të bllokuara me shitës, poçarë e tregtarë të ndryshëm, që ekspozojnë mallin e tyre në sheshet e hapura, përderisa me mijëra njerëz bëjnë pazare duke blerë gurabija shumëngjyrëshe për ‘’mësysh e bereqet’’, e poashtu duke blerë nga poçarët tava nga dheu, sepse atë ditë ‘’duhet’’ ngrenë nga enët e dheut, sepse ai i ‘’merr gjitha të këqijat’’ gjatë tërë vitit…

Pastaj, shkojnë të tyrbja e Lezit, duke puthur gurin e puthur nga mijëra njerëz në të njëjtin vend, e duke iu lutur një tabutit, i rrethuar me para të shumta, tima dhe të letrës të hedhura nga vetë ata.

E çuditshme kjo pjesë. Sepse, ata i drejtohen kufomës apo gurit por duke i mbajtur duart drejt qiellit… Këtë si fëmijë por edhe tani asnjëherë së kam kuptuar…

Pra, kërkojnë dobi nga gjërat që as vetit nuk mund t’i sjellin dobi e as dëme, e si ka mundësi këtyre t’iu sjellin fat?!

Sidoqoftë, kemi një laramani të mënyrës së ‘’festimit’’ duke pretenduar që, kjo festë është e imja dhe jo e atij, e në fakt s’qenka e askujt.

Pra, kemi pikëpamje të ndryshme. Dikush e konsideron si feste fetare, dikush kombëtare, dikush as të parën, e as të dytën, por thotë; p’shtova nga dimri shëndosh e mirë, e Zoti na dhashtë mirësi.


Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Kategoritë
OPINIONE