E maskuar në arsim, shëndetësi dhe media/ Kryeparlamentari turk përkrah Ruçit: “Feto”, rrezik për sigurinë kombëtare

Kryetari i Parlamentit të Turqisë Mustafa Sentop ka nisur një vizitë zyrtare në Tiranë.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun shqiptar Gramoz Ruçi, kryeparlamentari turk nuk la pa përmendur edhe Organizatën Feto, sipas tij terroriste dhe prezente në Shqipëri.

Sipas tij, kjo organizatë tenton të helmojë marrëdhëniet mes dy vendeve, ndërsa e quajti rrezik për sigurinë kombëtare në vendet ku vepron.

Mustafa Sentop: Gjatë takimit që pata me zotin kryetar unë i fola edhe për aktivitetin e organizatës terroriste “Feto”, e cila ndërmori aktivitetin për grusht shteti në vendin tonë më 15 Korrik 2016. Ashtu si në vende të ndryshme të Ballkanit, organizata Feto është prezente edhe në Shqipëri.

Kjo organizatë nuk kurseu, arriti deri aty sa bombardoi me avionë Parlamentin e Turqisë kur ishte në seancë plenare. Në Turqi kjo organizatë është eliminuar në masë të konsiderueshme por nuk është vetëm Turqia objektiv i kësaj organizate terroriste, tinëzare.

Ky grup terrorist ka realizuar objektivat e tij duke u maskuar pas institucioneve arsimore, në shëndetësi, në media edhe në shoqata apo organizata të ndryshme.

Në të gjitha vendet ku ajo vepron përbën një rrezik për sigurinë kombëtare.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreRajoni