Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Pejë, Naser Gega, ka komentuar rastin e kthimit të vajzës me shami, nxënëses me inicialet A.D. në gjimnazin “Bedri Pejani”, kthim që pason, pas një vendimi me shkrim, që Drejtorisë së Arsimit në Pejë dhe gjimnazit “Bedri Pejani” i ka arritur nga Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Arbërie Nagavci.
Duke folur në RADIO 1, Gega ka shprehur pakënaqësinë e tij si zyrtar, ndaj një vendimi të tillë të ministres. Megjithatë, ai ka konfirmuar se vajza me shami, nga sot ka vazhduar procesin mësimorë.
“Ka ndodhur ky rast sepse vajza ka 18 vjet, përndryshe, ky rast nuk duhet kuptuar se shkollat tona hapin dyert për nxënëse me shami. Jam i prekur nga një vendim i ministres së Arsimit Nagavci, sepse kjo çështje është e rregulluar me kushtetutë”, tha midis tjerash drejtori Gega.
Numri një i arsimit në Pejë, Naser Gega, tutje ka arsyetuar pakënaqësinë ndaj rastit, me faktin se shamia e dallon nxënësen në fjalë, nga 1 mijë e 500 nxënës të tjerë.
“Fakti tjetër që më prekë është, pse të veçohet ky rast në mesin e 1 mijë e 500 nxënësve”?, shtoi tutje Gega.
Ndryshe, për kthimin e vajzës me shami në gjimnaz, shprehu angazhimin e madh edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës Gramos Agusholli, ndërsa një kthim të tillë, javë më parë e kishte paralajmuar edhe zv.ministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Taulant Kelmendi.
Nga ana tjetër, jo zyrtarisht mësohet se me rastin e kthimit të vajzës 18- vjeçare me shami në bankat e gjimnazit të Pejës, stafi arsimor i këtij gjimnazi, sot ka bojkotuar mësimin në dy orët e para.