Drejtoresha e Arsimit në Prizren për doracakun e MASHT-it: Materialet e këtilla tek ne nuk kalojnë

Edhe Prizreni u është bashkuar komunave që kanë marrë vendim për ndalimin e doracakut të “Edukimit Seksual”

Kështu ka bërë të ditur drejtoresha e Arsimit në Prizren, Luljeta Veselaj Gutaj  e cila përmes një postimi në Facebook tha se nuk lejojnë që doracakë dhe materiale të tilla të kalojnë në këtë komunë.

Postimi i plotë 
Reagim

Lidhur me materialet e hartuara të MAShTI për edukimin seksual dhe zbatimin e këtij programi në Komunën e Prizrenit
Drejtoria Komunale e Arsimit të Komunës së Prizrenit me kohë ka vërejtur se materialet e përgatitura nga MAShTI lidhur me edukimin seksual nuk i plotësojnë kriteret e zbatueshmërisë, dhe se programi i tillë nuk përkon me kontekstin kulturor dhe normat e shëndosha shoqërore. Pavarësisht se në këto materiale mund të ketë ‘importe’ të praktikave të ndryshme në vendet evropiane, megjithatë nuk përkojnë me realitetin tonë dhe nuk na ndihmon në rrugën tonë të angazhimit të komunitetit arsimor drejt një rinie të shëndoshë me mendim kritik të zhvilluar. Andaj materialet e këtilla kurrë nuk kanë gjetur zbatim në komunën tonë, duke shmangur kështu dëmet e mundshme shoqërore dhe sidomos dëmet në procesin e arsimimit të brezave të rinj. Gjithashtu, duke marrë parasysh se materialet e këtilla nuk përkojnë as me kurrikulën, si material jo obligativ, format e edukimit seksual në formën e rekomanduar nga MAShTI përmes këtyre udhëzuesve nuk kanë gjetur zbatim në shkollat tona.
Me gjithë tendencën e mirë të MAShTI-t, ky improvizim i këtillë, që çoi drejt një polarizimi të shoqërisë edhe ashtu të dëmtuar nga qeverisja aktuale, tregon papjekuri, mendim jo strategjik të thelluar, improvizim dhe lajthitje të të gjithë komunitetit arsimor në Kosovë në rrezikimin e vlerave që mëtojmë t’i kultivojmë përmes arsimimit.
Deri sa të mbushen mend përgjegjësit dhe të hartojnë politika të përshtatshme lidhur me këtë teme, materialet e tilla nuk mund të realizohen në komunën tonë.
Shkurt e thjeshtë: materialet e këtilla tek ne nuk kalojnë.
Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi