Dita e Alfabetit, Nagavci: Kongresi i Manastirit, një ndër ngjarjet më të rëndësishme të kombit tonë

Në shkurt të këtij viti, Kuvendi i Shqipërisë miratoi datën 22 nëntor si Ditën e Alfabetit Shqip.

E pikërisht sot po shënohet për herë të parë kjo ditë, që përkon me përvjetorin e Kongresit të Manastirit të vitit 1908, ku u standardizua alfabeti unik i gjuhës shqipe.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se Kongresi i Manastirit mbetet një ndër ngjarjet më të rëndësishme të kombit tonë.

“Sot më 22 nëntor, shënojmë ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe i cili u unifikua 116 vjet më parë në Kongresin e Manastirit. Kjo mbetet një ndër ngjarjet më të rëndësishme të kombit tonë. Kongresi njësoi alfabetin me 36 shkronja latine, që e përdorim edhe sot, duke çuar drejt bashkimit gjuhësor kombëtar të gjithë shqiptarët”.“Me përulje e krenari, në ditë të veçantë si kjo i kujtojmë të gjithë atdhetarët, intelektualët e albanologët, mësimdhënës e kontribues, gra dhe burra, të cilët kanë ruajtur të pastër Gjuhën Shqipe. Gjuha është identitet kombëtar, shpirtëror e kulturor andaj ta ruajmë e të kujdesemi për të. Gëzuar Ditën e Alfabetit”, potencoi ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi