Anëtari i AAK-së, Daut Haradinaj ka publikuar një dokument, që sipas tij dëshmon se në konkursin e FSK-së për kuzhinierë po rekrutohen militantë të VV-së.
“Me ushtarët dhe oficerët që janë krenaria jonë, po shpërdorohet çdo segment i funksionimit të kësaj force. Shpresoj që përgjegjësit të përgjigjen, nga nr. 44 që sipas shpalljes duhet të kenë përvojë 15 vjeçare. Aty në mënyrë krejtësisht të kundërligjshme rekrutohen militantë të VV-së”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka publikuar dokumente me listën e rezultateve përfundimtare të kandidatëve që kanë kaluar me sukses intervistimin për këto pozita
Ministria e Mbrojtjes muajin e kaluar ka shpallur konkurs me 106 vende të reja pune për kuzhinierë dhe staf përkrahës, për kuzhinat e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Njoftim për vende të reja pune: Ministria e Mbrojtjes ka hapur 106 vende të reja të punës në kuzhinat e FSK-së, për këto pozita: Kuzhinier (25), ndihmëskuzhinier (23), shpërndarës ushqimi (42), Pastrues të enëve (16)”, thuhet në postimin e plotë të Ministrisë./Reporteri.net/