ÇKA NA THOTË VENEZUELA?

Shkruan: Prof.Dr.Mete Gündoğan

E përktheu nga turqishtja: Emir Hukallo

Vendi me rezervat më të mëdha të naftës në botë është Venezuela, me rreth 303 miliardë fuçi. Rezervat e Arabisë Saudite janë rreth 297 miliardë fuçi dhe ajo renditet e dyta. Pra, kur flitet për naftë dhe gaz natyror, vendi i parë që duhet të na kujtohet është Venezuela.
Pas saj vjen Arabia Saudite.

Tani, nëse do të flasim për Venezuelën, së pari le të kujtojmë Hugo Chavez-in.

Chavez ka qenë president mes viteve 1999–2013. Ai ishte një nga udhëheqësit që i sfidoi më hapur dhe më sistematikisht SHBA-të. Ai e nxori naftën nga kontrolli i kompanive amerikane dhe e shtetëzoi.
Të ardhurat nga nafta i orientoi drejt popullit dhe programeve sociale. Në Amerikën Latine krijoi një bllok alternativ ndaj hegjemonisë së SHBA-ve. Ai e lidhi aleancë strategjike me Kubën dhe I thelloi marrëdhëniet me Rusinë, Kinën dhe Iranin.

Chavez vdiq zyrtarisht nga kanceri në vitin 2013.

Megjithatë, vdekja e tij u kujtua gjithmonë me dyshim në atë rajon. Sepse në të njëjtën periudhë jo vetëm Chavez, por edhe udhëheqës kundër SHBA-ve si Lula (Brazil), Kirchner (Argjentinë), Lugo (Paraguaj) u prekën nga kanceri, gjë që e tërhoqi vëmendjen. Madje ai vetë kishte lënë të kuptohej: “Mund të më kenë helmuar”.
Nuk ka prova konkrete, por mundësia e një atentati biologjik nuk u përjashtua kurrë.

Po Maduro, si doli në skenë?

Maduro, ish-shofer autobusi me prejardhje sindikaliste, ishte një nga njerëzit më besnikë të Chavez-it. Ai ka qenë ministër i Punëve të Jashtme dhe zëvendëspresident. Chavez, në një fjalim të mbajtur para vdekjes së tij, duke thënë “Nëse më ndodh diçka, votoni për Nicolas Maduro-n”, e shpalli atë trashëgimtar të ligjshëm.

Me pak fjalë, Maduro mori përsipër sistemin që kishte ndërtuar Chavez-i.
E vazhdoi në të njëjtën mënyrë dhe arriti deri në ditët e sotme.

Çfarë përjetoi Maduro?

Maduro u zgjodh president në zgjedhjet e para të mbajtura pas vdekjes së Chavez-it (2014).

Rezultati i zgjedhjeve u kundërshtua nga opozita. Këto kundërshtime u mbajtën vazhdimisht në rendin e ditës në SHBA dhe në Perëndim. Opozita u mbështet në forma të ndryshme. Kështu nisi edhe polarizimi i thellë politik.

Me Maduron, rritja ekonomike u ngadalësua. Inflacioni u rrit; u përjetuan mungesa në ushqimet bazë dhe produkte të tjera. Pakënaqësia e popullit u shndërrua në protesta.
Rënia e çmimeve të naftës e dobësoi edhe më shumë ekonominë. Prodhimi i naftës u ul. Venezuela hyri zyrtarisht në hiperinflacion.
Qeveria pati vështirësi serioze në sigurimin e stabilitetit ekonomik.

Në zgjedhjet e 20 majit 2018, Maduro u zgjedh president për herë të dytë. Rezultatet përsëri çuan në kritika dhe protesta të gjera.

Vështirësive të vazhdueshme ekonomike iu shtua edhe presioni i COVID-19 në vitet 2020–2021.

Në zgjedhjet e mbajtura në korrik 2024, Maduro u zgjodh edhe për një mandat të tretë. Megjithatë, reagimi i opozitës ndaj rezultateve ishte shumë më i madh.

Nën udhëheqjen e SHBA-ve dhe Perëndimit, sanksionet ndërkombëtare u shtuan edhe më shumë. Prodhimi i naftës ra më tej dhe të ardhurat mbetën në nivele të ulëta. Vështirësitë e financimit ndërkombëtar të vendit vazhduan.

Në fund të vitit 2025, SHBA-të i rritën në mënyrë të jashtëzakonshme sanksionet ndaj sektorit të naftës së Venezuelës. Vendosën kufizime ndaj porteve dhe infrastrukturës energjetike. E futën gjithë vendin në bllokadë. Pas kësaj, Maduro deklaroi se vendi po kalonte “një periudhë ekzistenciale”. Megjithatë, ai u përpoq të ruante pozicionin e tij mes presionit të brendshëm opozitar dhe tensioneve strategjike të jashtme.

Më 3 janar 2026, ushtria amerikane organizoi një operacion ushtarak dhe njoftoi se kishte kapur Maduron dhe familjen e tij.

Sigurisht, këtu mund të themi se Maduron e dorëzuan te SHBA-të njerëzit më të afërt të tij.
Një dorëzim i tillë nuk do të çudiste askënd, sepse mënyra e veprimit të SHBA-ve ka qenë gjithmonë e tillë. Ata gjithmonë i kanë blerë punët e tyre nga njerëzit më të afërt të atyre që donin të eliminonin. Në fund të fundit, ka mjaft njerëz të gatshëm të bashkëpunojnë me SHBA-të. Edhe tani kuptojmë se kështu ka ndodhur. Detajet do të dalin me kohë.
Madje, do të bëjnë edhe filma për këtë.

Presidenti amerikan Trump, pas operacionit të kapjes së Maduros, deklaroi se SHBA-të do të përfshiheshin “shumë fuqishëm” në industrinë e naftës së Venezuelës.

Me pak fjalë, SHBA-të u hodhën mbi rezervat më të mëdha të naftës në botë. Dhe këtë e bënë në emër të demokracisë, duke e demonizuar Maduron.

Ja, kjo është përmbledhja e panoramës që e shihni.

Nuk ju mjaftoi, nuk ju kënaqi, apo jo?

Po, kjo është ajo që shihet, por as mua nuk më kënaqi. Duhet bërë edhe një lexim tjetër.

Atëherë, a është e mundur të lexohet ndryshe e gjithë kjo që po ndodh?

A mund të jetë ndërtuar këtu një skenar tjetër?
Sigurisht që mundet.

Mundet, sepse SHBA-të, që nga ardhja në pushtet e Chavez-it në vitin 1999, i kishin punët me Venezuelën në një mënyrë ose në një tjetër. Prej një çerek shekulli, ndonëse në dukje kishte përplasje, punët tregtare shkonin mirë.

Atëherë, çfarë ndodhi që SHBA-të vunë dorë mbi rezervën më të madhe të naftës në botë?

Për ta kuptuar këtë, pyetja duhet shtruar kështu.

A ka SHBA nevojë për një fushë kaq të madhe nafte?
Normalisht, jo.

Atëherë, në çfarë rrethane mund të lindë një nevojë e tillë?
Nëse në Lindjen e Mesme do të ketë një luftë rajonale, për SHBA-të një nevojë e tillë do të shfaqet urgjentisht.
Nëse kjo mundësi është rritur shumë, atëherë ata mund të jenë duke marrë masat që tani!

Tani le t’i riorganizojmë pozicionet në këtë mënyrë dhe ta rilexojmë panoramën që del para nesh.

Këto zhvillime mund t’i lexojmë si përgatitje të fundit për një luftë të madhe në Lindjen e Mesme.
SHBA-të, duke vënë dorë mbi naftën e Venezuelës, po sigurojnë që tani furnizimin e tyre.

Skenari me shumë gjasa formohet kështu.

Izraeli e shkatërroi Gazën. Duke futur në lojë SHBA-të, po kalojnë një periudhë pauze.

Por kjo pauzë nuk do të thotë paqe. Gjatë kësaj kohe, Izraeli, së bashku me SHBA-të, po riorganizon Sirinë dhe po krijon një strukturë terroriste përgjatë kufirit verior me Turqinë.

Po e kërcënon aktivisht Iranin. Po kryen operacione në Jemen. Përballë Jemenit, po përpiqet të krijojë një pozicion ushtarak brenda Somalisë, të quajtur Somaliland.
Po bën stoqe ushtarake në Qipron Jugore.

Kryeministri izraelit Netanyahu shkon vazhdimisht në SHBA dhe i rishikon personalisht planet me Trump-in.

Në fund të dhjetorit 2025, ai shkoi dhe u takua për herë të pestë. Në këtë takim u diskutuan operacione ndaj një shteti të madh ekzistues në rajon.
Ai kërkoi nga SHBA-të të ndërhyjnë që Turqia të mos përfshihet në këto operacione. SHBA-të dhanë garancitë e nevojshme dhe pati deklarata mbështetëse për këtë.

Megjithatë, SHBA-të panë edhe këtë: nëse në rajon do të ndodhte një luftë me Iranin, dërgesat e naftës nga rajoni do të ndaleshin.
Nga kjo do të prekej më së shumti ekonomia amerikane.
Ja pikërisht për ta minimizuar këtë ndikim, ata vunë dorë mbi naftën e Venezuelës.

Së shpejti do të caktojnë në Venezuelë një president të varur prej tyre dhe, sipas shprehjes së vetë Trump-it, do të fillojnë shumë fuqishëm prodhimin e naftës.

Në një situatë të tillë, çmimet e naftës do të rriten shumë.
SHBA-të do të nxjerrin fitime të mëdha nga kjo.
Shtetet e pasura me naftë në Lindjen e Mesme do të humbasin, sepse nuk do të mund të eksportojnë mjaftueshëm naftë. Madje do të hyjnë në borxhe. Kjo do t’i shërbejë sërish SHBA-ve dhe Perëndimit.
Nga një zhvillim i tillë ekonomik do të përfitojnë edhe Rusia dhe Kina! Sipas SHBA-ve, kjo do të jetë “pjesa për t’i heshtur”.

Në këtë ambient kaosi, Europa Perëndimore, duke përsëritur “Qipro e Bashkuar”, bëhet njëkohësisht furnizuese dhe blerëse e naftës dhe gazit natyror të Mesdheut Lindor!
Pra, edhe Europa do t’i vërsulet gazit dhe naftës së Mesdheut Lindor.

Ndërsa Turqia, nëse përpiqet të veprojë pavarësisht gjithçkaje, do të vihet nën presion si nga jugu me krijime terroriste, ashtu edhe nga Perëndimi përmes Greqisë.
Nëse nuk vepron, atëherë humbet ekonomikisht, shoqërisht dhe politikisht. Më pas edhe shkatërrohet.

Ja, ndërsa ndodhin të gjitha këto, SHBA-të dhe Perëndimi do ta sigurojnë naftën e tyre nga burimet e Venezuelës.

Pastaj, kur puna e tyre të mbarojë, do të ulen në tryezë me vendet e rajonit, të rrënuara dhe të lodhura ekonomikisht.
Si burimet, ashtu edhe kufijtë do t’i riorganizojnë sipas dëshirës së tyre.

Ja, në vija të përgjithshme, skenari i lojës që mund të parashikojmë në Lindjen e Mesme.

Turqia nuk duhet ta nënvlerësojë këtë skenar.

Nuk duhet të hezitojë në ndërmarrjen e disa hapave parandaluese dhe kombëtare.

Nëse tregoni mëshirë, përfundoni në gjendje për t’u mëshiruar.
Gjithçka po luhet para syve tanë.
Nuk është koha për të parë akrobatin.
E aq më pak është koha për të fjetur.

Siç thuhet në replikën e famshme të filmit Nefes:
“Nëse flini, vdisni.”

 

 


Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Kategoritë
OPINIONEOpinione - Ballina