Bruksel, fillon takimi dyditor i krerëve ushtarakë të NATO-s

Nesër, në ditën e dytë, 32 shefa ushtarakë do të shkëmbejnë mendime me partnerët operativ të KFOR-it mbi situatën në terren, mjedisin e sigurisë dhe për misionin e KFOR-it

Në Bruksel ka filluar takimi dyditor i krerëve ushtarakë të vendeve të NATO-s për të diskutuar një sërë çështjesh, përfshirë mbështetjen e aleancës për Ukrainën, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sesioni, që filloi pas adresimeve të kreut të Komitetit Ushtarak të NATO-s, Rob Bauer dhe zv.sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mircea Geoana, do të kryesohet nga Bauer, ndërsa në të do të marrin pjesë shefat ushtarakë aleatë, si dhe homologët e tyre të ftuar nga Finlanda dhe Suedia.

“Fatkeqësisht, ne po shohim agimin e një epoke të re të mbrojtjes kolektive. Megjithatë, është një epokë për të cilën NATO-ja është gati. Ne i kemi treguar botës se jemi në gjendje të rrisim shpejt praninë tonë kurdoherë dhe kudo që të jetë e nevojshme”, tha Bauer.

Nga ana e tij, Geoana tha se NATO “duhet të ruajë kapacitetin dhe aftësinë ushtarake për të mbrojtur aleancën kundër të gjitha sfidave, tani dhe në të ardhmen, përfshirë operacionet në shumë fushë”.

Geoana theksoi tre fusha që kërkojnë vëmendje në prag të samitit të ardhshëm, që do të zhvillohet në Vilnius të Lituanisë më vonë këtë vit, përkatësisht rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes, rritjen e prodhimit të municioneve dhe armëve, si dhe përditësimin e NATO-s për epokën digjitale.

Diskutimet e ditës së parë do të fokusohen në sfidat e sigurisë me të cilat përballet aleanca, luftën e Rusisë kundër Ukrainës, forcimin e kapaciteteve dhe aftësive të aleancës, përforcimin e mbrojtjes, transformimin digjital, vlerësimin e nivelit të gatishmërisë së forcave të NATO-s, si dhe stoqet dhe logjistikën ushtarake.

Nesër, në ditën e dytë, 32 shefa ushtarakë do të shkëmbejnë mendime me partnerët operativ të Forcave Paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR) mbi situatën në terren, mjedisin e sigurisë dhe për misionin e KFOR-it.

Në seancën përfundimtare, krerët ushtarakë do të trajtojnë mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s për Kievin.

Pas takimit dyditor do të mbahet një konferencë për media.

Kategoritë
BotaLajme