Borell sot e priti Gjuriqin në zyrë, pas takimit del me apel për Kosovën e Serbinë

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, të mërkurën ka pritur në takim Marko Gjuriqin, ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë.

Më pas, Bashkimi Evropian ka lëshuar një komunikatë të qëndrimit të Borellit, ku kërkohet nga Kosova dhe Serbia që të përfundojnë pa vonesa zbatimin e marrëveshjes së Brukselit, që cilësohet ligjërisht e detyrueshme nga BE-ja.

Borrell citohet të ketë thënë se prioritet kryesor mbetet përparimi në zbatimin e marrëveshjes.

BE-ja pret që si Kosova ashtu edhe Serbia të angazhohen në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja me mirëbesim dhe me frymën e kompromisit, dhe ta përfundojnë atë pa vonesë me një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve në përputhje me acquis të BE-së dhe ligjin ndërkombëtar. Prioriteti kryesor është të përparojnë me zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit të marrëdhënieve”, citohet Borrell.

Më tutje, ai i ka thënë Gjuriqit se “rruga e Serbsië drejt BE-së kalon ka dialogu”.

Zyrtarë perëndimorë shpesh dialogun Kosovë-Serbi e kanë cilësuar në gjendje ngërçi, pasi një marrëveshje e Brukselit e vitit 2023 dhe aneksi i Ohrit më pas nuk është zbatuar.

Beogradi zyrtar insiston në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ndërkaq, Qeveria dhe Presidenca e Kosovës thonë se nuk mund të shmangin gjashtë pikat e marrëveshjes e të shkojnë direkt në pikën e shtatë.

Institucionet e Kosovës vazhdimisht kanë deklaruar se janë për marrëveshjen e Brukselit, ndonëse nënshkrim më pas në Ohër nuk ka pasur.

Gjithë kjo situatë ka fokus tryezën e Brukselit e cila viteve të fundit rrallë ka ballafaquar në atë tavolinë kryeministrin e Kosovës Albin Kurti e presidentin e Serbisë, përcillet edhe me zhvillime nga veriu i Kosovës.

Vitin e kaluar, më 24 shtator, një sulm terrorist ndodhi në veriun e Kosovës ku mbeti i vrarë një polic, Afrim Bunjaku.

Institucionet e Kosovës vazhdimisht kanë alarmuar se situata në veri mund të eskalojë për shkak të kërcënimeve nga Serbia.

Ndërkohë, zyrtarë perëndimorë thonë se rruga e vetme për tejkalimin e situatës është dialogu i lehtësuar nga BE-ja. 

Kategoritë
LajmeVendi